Trajneri Mirel Josa e kërkon me ngulm te Vllaznia e sezonit të ri, sepse ia di mirë vlerat, ngaqë e ka pasur te Tirana. Për këtë arsye, mbrojtësi Elvis Sina është nga të parët në listën e lojtarëve që trajneri i kuqebluve i ka kërkuar presidentit Fushaj për ta marrë në skuadër. Kontaktet me mbrojtësin e djathtë kanë nisur prej kohësh dhe sot do të jetë radha e bisedimeve, le të themi përfundimtare. Palët kanë kontaktuar disa herë me njëra‑tjetrën dhe pikërisht në këtë ditë të parë të javës do të bisedohet më konkretisht për ofertën financiare të shkodranëve. Vetëm pasi të jetë bërë e ditur ajo, Sina do të vendosë për të kthyer përgjigje pozitive apo negative. Këtë e ka bërë të qartë vetë lojtari, që do të shprehej: "Kam kontaktuar disa herë me drejtuesit e Vllaznisë dhe ata ma kanë bërë të ditur dëshirën për të më pasur në skuadrën e tyre për sezonin e ardhshëm.
Natyrisht që nuk mund ta fsheh dëshirën që kam për të luajtur në Shkodër, nisur nga shumë arsye, por mbi të gjitha sepse më pëlqen ai ambient dhe mënyra se si mbështetet skuadra, prandaj në pamje të parë nuk jam kundër kësaj lëvizjeje, por ka mbetur për t'u biseduar dhe konkretizuar vetëm ana financiare. Kjo do të diskutohet me shumë mundësi nesër (sot) me presidentin Fushaj, të paktën kështu e kemi lënë." Sakaq, ana financiare nuk është arsyeja kryesore që do të ndikojë në vendimin e Sinës. Madje, duke folur me "zemër në dorë", mbrojtësi kryeqytetas ka shpjeguar qartë edhe faktin se oferta e Vllaznisë do të diskutohet pas asaj të Tiranës, që është skuadra e tij e zemrës. "Do të dëgjoj edhe fjalën e presidentit Fushaj dhe më pas do të mendohem disa ditë, sepse aktualisht po shikoj të gjitha ofertat dhe më pas do të vendos. Tirana? Flitet shumë se drejtuesit e saj kanë dëshirë të më kenë sërish në skuadër, por për momentin ende nuk ka asnjë bisedë zyrtare, megjithatë më duhet ta pranoj se oferta e Tiranës do të jetë primare për mua, sepse normalisht është shtëpia ime dhe nuk do të hezitoja për t'u kthyer aty. Pas saj pastaj rendis Vllazninë dhe me shumë siguri do të jem në Shkodër, nëse nuk vishem bardheblu," ‑ ka shtuar më tej Sina.
Sakaq, përveç skuadrave të mësipërme, janë edhe të tjera që kërkojnë shërbimet e këtij lojtari, por për të e rëndësishme është që sezonin e ardhshëm të luajë në një ekip me pretendime. "Kam pranuar të hyj në bisedime me drejtuesit e Vllaznisë vetëm pasi ata më kanë bindur për faktin e krijimit të një ekip pretendent për trofe, sepse ndryshe nuk do të shkoja në Shkodër. Ky ndoshta është shkaku kryesor që do të vendosë, sepse oferta kam edhe nga Besa, madje shumë të mirë financiare, Elbasani, apo edhe Dinamo. Megjithatë, brenda pak ditësh do të mësohet destinacioni im," ‑ ka përfunduar Elvis Sina. Në këtë mënyrë, ditën e sotme pritet që presidenti Fushaj të ketë gati ofertën financiare në drejtim të lojtarit të kërkuar me ngulm nga ana e trajnerit Josa dhe më pas vendimi i tij.

Komentet