Vllaznia do të përballet ditën e nesërme me Kamzën, në kuadër të takimit të parë të raundit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Trajneri Hasan Lika konfirmoi para gazetarëve se skuadra e tij është impenjuar maksimalisht për këtë ndeshje, ndërsa konfirmoi dhe mungesën e qendërmbrojtës rumun Dani Ignat.

NDESHJA ME KAMZËN – “Është ndeshje kupe dhe kërkojmë të kualifikohemi e të japim maksimumin. Pavarësisht se jemi të përqendruar në kampionat duhet të japim maksimumin dhe në kupë. E njohim kundërshtarin dhe do të mundohemi të japim më të mirën. Mirë do të ishte të luanim në “Loro Boriçi”, por duke qenë se koha nuk ka qenë e mirë do të luajmë në “Reshit Rusi”.

MUNGESAT – “Përveç Dani Ignat, i cili mungon pasi nuk do të jetë pjesë e klubit. Kjo për arsyet e veta personale. Ne e kemi pritur, por ai do të jetë mungesë. Të tjerët janë të gatshëm dhe do të luajmë me formacionin më të mirë. Do ta marrim si kundërshtar të radhës dhe do të japim maksimumin në fushë”.

Komentet