Në kalendar ka qenë e planifikuar për t’u luajtur të shtunën por ndeshja e javës së fundit të fazës së parë të kampionatit, ajo në mes Ilirisë dhe Vllaznisë, është shtyrë për të hënën. Ky është njoftimi që Sektori i Garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka shpërndarë për klubet dhe qe eshte bere i ditur nga faqja zyrtare e Vllaznise.

Takimi do të startojë në orën 14.00 të ditës së parë të javës që vjen në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë- Krujës. Po kështu mësohet se kjo ndeshje do të zhvillohet pa praninë e spektatorëve si rrjedhojë e dënimit të fushës për Ilirinë. Po ashtu, bëhet e ditur se kjo ndeshje do të transmetohet drejtëpërdrejtë nga RTSH për të gjithë sportdashësit. Objektivi i Vllaznisë pavarësisht këtyre fakteve do të jetë vetëm fitorja e kësaj ndeshje, për ta mbyllur siç duhet fazën e parë të kampionatit.

 

Komentet