Vite më parë, Vllaznia ishte "fabrikë" e golit. Mjaft të përmendësh emra si Sinani, Salihi, Balaj, Sukaj, Vajushi etj., të cilët furnizonin kampionatin shqiptar me "bombera" kalibri, ndërsa sot situata është në të kundërt. Duket paradoksale, por aktualisht sulmi i Vllaznisë varet i gjithi nga një brazilian. Quhet Silvio Rodrigues Pereira Xhunior dhe në 270 minuta ka shënuar 3 gola (dy në kampionat dhe një ne kupe). Sulmuesi po dëshmon se do të jetë ai lideri i kuqebluve në Kategorinë e Parë.
Krahasimisht mund të jetë larg me cilësinë e shkodranëve që kanë edhe rekorde në Shqipëri, e megjithatë fakti që i ka dhënë 6 pikë Vllaznisë i jep një lloj qetësie skuadrës së drejtuar nga Hasan Lika. Në fund të fundit, objektivi është vetëm ngjitja në elitë, ndaj pak rëndësi ka se nga vjen lojtari që e shtyn topin në rrjetë. Gjatë karrierës së tij nuk ka pasur fort të mirë raportin me portat kundërshtare, e megjithatë në Shqipëri Xhunior jo vetëm po rigjen veten, por edhe po shpërthen.
Silvio Zogaj ishte një nga protagonistët e transfertës delikate në Burrel. Goli i shënuar prej tij që nga "tuneli" i dha rrugë fitores së dytë dhe kapjes së vendit të parë në tabelë. Mesfushori me tipare sulmuese, i dalë nga akademia e Vllaznisë, është vënë nën urdhrat e Hasan Likës këtë verë pas përvojës me Luftëtarin dhe Laçin.
​Ishte një ndjesi e mrekullueshme të shënoje për Vllazninë. Ndihem si i çliruar. Qëllimi im është që të shënoj çdo ndeshje dhe të jap topa goli, pasi në fund të fundit ajo është detyra ime. E parandjeva që do shënoja në Burrel. Megjithatë, rëndësi kanë pikët e marra. Jam shumë i lumtur që kontribuova në arritjen e objektivit tonë. Shpresoj ta ndihmoj ekipin ndeshje pas ndeshjeje. Golin e parë dua t’ia dedikoj gjyshit tim, i cili nuk jeton më dhe ka qenë i vetmi nga familjarët e mi që më ka ndjekur në çdo ndeshje që kur isha i vogël dhe dëshironte që unë të vazhdoja futbollin. Në çdo ekip që kam qenë, synimet kanë qenë madhore dhe kemi punuar shumë për t’i arritur. Ashtu si te çdo ekip edhe te Vllaznia do marr përgjegjësitë e mia për ta ngjitur në elitë. Jam shumë krenar qa jam rritur në akademinë më të mirë në Shqipëri dhe jam shumë i lumtur që realizova një nga ëndrrat e mia të fëmijërisë, të luaj për ekipin e parë të Vllaznisë. Objektivat? Ngjitja e Vllaznisë, ndërsa në planin personal nuk mund ta mohoj që dëshiroj të shënoj më shumë për të ndihmuar ekipin”, përfundoi 21-vjeçari për "Panorama Sport".
Panorama Sport