Skënderbeu-Vllaznia është një ndeshje qejfi për korçarët, por për shkodranët mbetet një prej më rëndësishmeve në këto pesë dekadat e fundit. Vllaznia ka rënë nga kategoria për herë të fundit në vitin 1961 dhe sot nëse nuk arrin të fitojë dhe nga ana tjetër, duke shpresuar se Kamza do të mundet, atëherë bie nga Superiorja.
Korçarët do të luajnë thuajse me të njëjtin formacion si ndaj Luftëtarit, me ndryshimin e vetëm se nga minuta e parë trajneri Daja do t’i besojë të riut Mara në mesfushë. Në sulm do të jetë Krasniqi në majë, ndërsa nga krahët do të mbështetet nga Gripshi dhe Sahiti. Duke pasur parasysh marrëdhënien e mirë ndër vite mes dy qyteteve, nuk është aspak çudi që sot tifozët korçarët të mbështesin Vllazninë për një fitore.
Tekniku Kraja, gjatë këtyre ditëve të pakta për takimin me Skënderbeun, ka bërë vetëm një ndryshim në formacionin e ekipit të tij, në krahasim me ndeshjen e javës së shkuar ndaj Kukësit, ku mungesa e Tafilit do të zëvendësohet me Vucajn. Nisur nga sa është parë, në portë do të jetë Sherri, ndërsa katërshja e mbrojtjes do të jetë e përbërë nga Gocaj, Malota, Berisha e Pjeshka. Në repartin e mesfushës pritet që të jenë Çinari e Kalaja në krahë. Krymi në qendër dhe dyshja Vucaj e Lika në qendër. Në sulm pritet që të jetë sërish Sukaj ashtu si në përballjen e fundit me Kukësin. Edhe pse Skënderbeu është skuadra më e mirë në Superiore, për shkodranët kjo përballje pritet të jetë relativisht e lehtë, pasi në Korçë të gjithë janë përgatitur për festën e titullit kampion.
Ja si pritet ta fillojne ndeshjen ekipet:
Skenderbeu - Teqja, Vangjeli, Sambou, Aliti, Abazi, Demte, Nimaga, Sahiti, Mara, Gripshi dhe Krasniqi.
Vllaznia - Sherri, Gocaj, Malota, Berisha, Pjeshka, Krymi, Vucaj, Cinari, Lika, Kalaja dhe Sukaj.