Vllaznia, Kamza apo Teuta? Me këtë të fundit thuajse të përjashtuar nga lufta për mbijetesë, duke qenë se luan ndeshjen e radhës me Lushnjën e rënë dhe me një pikë siguron matematikisht qëndrimin, duket se gjithçka në mbylljen e llogarive për zonën e ftohtë varet nga këmbët e Kamzës.

Skuadra e Julian Ahmatajt nuk ka në dorë vetëm fatin e vetë, por edhe atë të Vllaznisë, pasi me rezultatin ndaj Laçit përcaktohet direkt, nëse “lufta” do të vijojë deri në javën e fundit apo do të mbyllet që këtë të shtunë.

Së pari, për të sqaruar pse Teutës i mjafton edhe një pikë në dy ndeshjet e fundit, lidhet me faktin se bën diferencën në ndeshjet direkte me rivalët, gjithnjë nëse në fund, durrsakët, Kamza dhe Vllaznia e mbyllin me pikë të barabarta.

SI SHPËTON KAMZA

Fitorja në ndeshjen e radhës kundër Laçit i siguron qëndrimin në elitë. Nëse merr vetëm një pikë në takimet e mbetura dhe Vllaznia i fiton të dyja, atëherë skuadrat e mbyllin me nga 44 pikë.

Në bazë të rregullores së klasifikimit, fillimisht merren pikët e grumbulluara në ndeshjet mes ekipeve përkatëse. Bëhet fjalë për nga një fitore dhe nga një barazim për secilin ekip dhe ky kriter bie poshtë.

Më pas, edhe pika b), ku merret parasysh diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar, sërish kemi barazi (3-3).

Në këto kushte, do të merret parasysh pika c), diferenca e golave të shënuar dhe të pë- suar gjatë kampionatit.

Deri më tani, Kamza ka një golavarazh më të mirë se Vllaznia, por nuk është çudi që gjërat të ndryshojnë në këtë raport dhe mbijetesa të vendoset pikërisht nga golat.

Ky është një nga skenarët, por në rast se Kamza nuk arrin të fitojë të paktën një takim nga dy të mbetura, i mjaftojnë dy barazime për të shpëtuar.

SI SHPËTON VLLAZNIA

Fiton të dyja ndeshjet e radhës dhe kundërshtari direkt, Kamza, i humbet. Në fund e mbyll me 44 pikë, ndërsa Kamza me 43.

Në rast se Kamza merr një barazim dhe pëson një humbje, atëherë do të vendosë pika c e rregullores për klasifikimin. Për të shpëtuar, Vllaznisë mund të mos i mjaftojnë as dy fitore, pasi duhet që ndeshjet ndaj Kukësit dhe Skënderbeut t’i kthejë në goleadë.

Për fat të shkodranëve, kampionët dhe nënkampionët janë të pamotivuar në këtë fund kampionati.

Golavarazhi i Vllaznisë aktualisht është -9, ndërsa Kamza e ka -4. Pra, diferenca është 5 gola dhe duhet një mrekulli në fund.