Si asnjëherë në këtë sezon, Vllaznia do të jetë e plotë për ndeshjen e nesërme ndaj Kamzës. Një finale mbijetese për kuqeblutë, të cilët do të kërkojnë fitoren për të kaluar kamzalinjtë në klasifikim.
Diferenca mes këtyre dy ekipeve është dy pikë. Dje është bashkuar me grupin dhe ka zhvilluar normalisht stërvitje me ekipin edhe sulmuesi kryesor, Xhevahir Sukaj. Për këtë të fundit kishte disa dyshime të vogla, pas dëmtimit që pësoi disa ditë më parë. Por, dje lojtari e ka kaluar plotësisht dëmtimin dhe është gati për ndeshjen ndaj Kamzës. Në këtë mënyrë, trajneri Ernest Gjoka do të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët. I vetmi shqetësim është gjendja jo e mirë fizike e mesfushorit nigerian, Nuredin Orelesi, i cili ka pësuar një goditje në ndeshjen e fundit dhe nuk pritet të jetë titullar.
Duke parë rëndësinë shumë të madhe që ka ky takim, drejtuesit dhe stafi teknik kanë vendosur që skuadra të grumbullohet për dy ditë përpara sfidës së nesërme. Tekniku Gjoka kërkon që futbollistët të jenë sa më të qetë përpara kësaj ndeshjeje dhe ka kërkuar që ekipi të “ngujohet”. Vllaznia është grumbulluar që dje dhe lojtarët do të dalin jashtë hotelit ku qëndrojnë vetëm për stërvitje. E njëjta taktikë u ndoq edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit vitin e kaluar ndaj Tiranës ku vendosej për mbijetesën. Edhe në prag të asaj ndeshjeje, shkodranët u grumbulluan për tri ditë me radhë, në mënyrë që lojtarët të ishin të shkëputur nga realiteti dhe sa më të përqendruar për atë takim. Takimi i nesërm me Kamzën vlerësohet i së njëjtës rëndësi, pasi çdo rezultat tjetër përveç fitores, do t’ia vështirësonte së tepërmi pozitat ekipit në luftën për mbijetesë. Ndërkaq, dje trajneri Gjoka ka zhvilluar normalisht seancën e radhës stërvitore ku ishin të pranishëm të gjithë futbollistët. Përgatitja është fokusuar më shumë në aspektin tekniko-taktik.
Panorama Sport