Një fitore që vjen në momentin e duhur dhe i jep frymë një qyteti të tërë, përballë një kundërshtari jo shumë të motivuar, si zakonisht. Vllaznia ka arritur të marrë një trepikësh të vyer përballë Laçit në “Loro Boriçi”, duke triumfuar në shifrat 1-0.
Skuadra e Ernest Gjokës ka ditur të reagojë në mënyrën e duhur pas asaj humbje në shtëpi me Luftëtarin. Ndeshja nis me ritëm të lartë për skuadrën shkodrane, e cila që në minutat e para është në sulm dhe ushtron presion tek miqtë nga Kurbini. Në minutën e 5’, Vucaj do i afrohej shumë golit, teksa gjuajtja e tij përplaset në traversë. Por kur topi kthehet, Lika gjuan sërish dhe këtë herë është mbrojtësi laçian që bën rolin e portierit duke e kapur topin me dorë dhe arbitri akordon penallti. Nga pika e bardhë e penalltisë gjuan Sukaj, që nuk gabon dhe kalon në avantazh vendasit.
Pas këtij goli Vllaznia vijon të kontrollojë ndeshjen, duke përfituar dhe nga superioriteti numerik në fushën e lojës pas daljes me të kuqe të Sefgjinit në momentin e penalltisë. Në pjesën e parë Vllaznia ka disa raste për te thelluar rezultatin por Sukaj e Cinari tregohen jo të saktë. Kurbinasit mundohen të reagojnë, por janë të vakët në aksionet e tyre dhe pjesa e parë do të mbyllej në shifrat 1-0.
Në fraksionin e dytë të lojës, Vllaznia e vazhdon aty ku e la dhe nuk heq dorë nga presioni ultra-ofensiv karshi miqëve. Laçi tenton me anë të kundërsulmve, por nuk ia del që të shfaqet i rrezikshëm në portën e Alen Sherrit. Mbyllet kështu gjithçka me këtë fitore të vuajtur, por me shumë vlerë për Vllazninë, e cila fillon të shpresojë për mbijetesë, duke u nisur edhe nga barazimi i ndeshjes mes Kamzës dhe Teutës.
VLLAZNIA- Sherri, Mersini, Malota, Berisha, Gocaj, Krymi (Bardulla 70′), Çinari (Kalaja 77′), Vucaj, Tafili, Likaj, Sukaj (Ribaj 63′)
LAÇI- Selmani, Sefgjinaj, Qaqi, Gjoni, Shtubina (Bushi 70′), Jonuzi, Lushkja, Uzuni, Kallaku, Nika (Fangaj 46′), Rexhinaldo
Arbitër: Klajdi Kola
Shenues: Sukaj 7'(penallti)
Kartone: Sefgjinaj 6' (KK); Shtubina 27' (KV), Mersini 52' (KV)