Vllaznia zhvilloi një takim të rëndësishëm me fëmijët autikë të shkollës “3 Dhjetori”, futbollistët shkodranë dhe stafi teknik mirëpriten fëmijët e vegjël në stadiumin “Loro Boriçi”.
Kuqeblutë i dhuruan disa momente shumë të bukura dhe të ëmbla fëmijëve të vegjël që i shihnin si idhuj lojtarët shkodranë. Kjo eksperiencë është mjaft e vlefshme, pasi futbolli është një sport shumë popullor, që përcjell mesazhe shumë pozitive dhe të forta. Lojtarët shkodranë luajtën dhe futboll me fëmijët e vegjël duke u falur disa momente shumë të bukura.

Kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, e ka komentuar shumë pozitivisht këtë aktivitet dhe jep disa mesazhe shumë të forta për të gjithë njerëzit. Ai shprehet se duhet që të ketë më shumë solidaritet mes njerëzve dhe të ndihmojnë më shumë njëri-tjetrin, futbolli nuk duhet të shfrytëzohet vetëm në fushë, por dhe jashtë saj.
“Besoj se është detyrë e gjithsecilit prej nesh të solidarizohet me këtë pjesë të shoqërisë. Kur mora vesh se do isha pjesë e këtij aktiviteti, isha shumë i lumtur dhe e bëra me shumë dëshirë këtë gjë. Të njëjtën ndjesi kanë patur edhe gjithë pjesëtarët e tjerë të Vllaznisë që ishin të pranishëm. Thirrja ime është se të gjithë ne duhet të bëjmë shumë më tepër për këtë pjesë të shoqërisë. Gjithsecili prej nesh duhet të japë kontributin e tij. Nëse në Shqipëri dhe në botë do të ekzistonte ndjesia e të bërit mirë dhe e ndihmës për njëri- tjetrin, besoj se nuk do të kishte uri në botë. Nuk do të kishte njerëz me probleme në botë ose problemet e tyre do të zvogëloheshin në maksimum”- është shprehur Lika.
Ky aktivitet vjen para ndeshjes me Lushnjen, në program ditën e shtunë, prej orës 14:00, në stadiumin “Loro Boriçi”. Takim ky shumë i rëndësishëm për Vllazninë për ta nisur si duhet fazën e katërt dhe të vazhdojë me sukses luftën për mbijetesë.

EDS

Komentet