Renato Malota është një çështje më vete te Vllaznia prej disa ditësh. Futbollisti lezhjan është përfshirë në një hetim për tjetërsim pronash në bregdetin e Shëngjinit dhe fillimisht ka mohuar të ketë lidhje me këto akuza, por tashmë ai rezulton i zhdukur dhe te Vllaznia ka pak shpresa që ai të kthehet të luajë.

Numri i telefonit të Malotës është i fikur prej ditësh dhe në klubin shkodran nuk kanë asnjë informacion në lidhje me futbollistin e tyre. U fol se lezhjani do të kthehej në fillim të javës, pasi të arrinte një marrëveshje me mirëkuptim për të vazhduar aktivitetin si sportist, por nuk ka ndodhur kështu. Por situata duket më e rëndë dhe më e komplikuar nga sa mund të mendohet.
Burime të “Vipsport.al” bëjnë me dije se Malota, për të cilin ka pasur një urdhër arresti, nuk është paraqitur fare në polici. Një veprim që ia shton përgjegjësitë dhe në këtë moment i bie që ai të jetë ende një person në kërkim. Në këto kushte, është e pamundur që ai të bashkohet me Vllazninë dhe të luajë në ndeshjen me Skënderbeun ditën e shtunë. Trajneri Ernest Gjoka po i bën llogaritë pa mbrojtësin e qendrës dhe ndoshta jo vetëm për këtë ndeshje.

Vipsport

Komentet