Prej së enjtes së kaluar kuqeblutë nisën përgatitjet për ndeshjen me Skënderbeun. Për shkak të shtyrjes së kësaj sfide për më 31 mars, stafi teknik e pa të arsyeshme që skuadra të pushonte ditën e diel. Sot kuqeblutë i rikthehen procesit stërvitor, por ajo që tërheq vëmendjen në kampin shkodran ka të bëjë më mungesat e shumta që pritet të ketë skuadra të shtunën. Tre janë të detyrueshme, pasi Sukaj, Gocaj dhe Mersini janë të skualifikuar, ndërsa pjesa tjetër e mungesa lidhet me dëmtimet, por është edhe rasti “Malota”, që pritet të marrë zgjidhje.
Kontigjenti që trajneri Gjoka ka në dispozicion është më i cunguar në krahasim me ditët e mëparshme dhe këtu kanë ndikuar edhe ekipet kombëtare. Pjesë e tyre janë edhe futbollistët kuqeblu. Më shumë janë tek ekipi Shpresa, ku janë grumbulluar Sherri, Krymi dhe së fundi Çinari, ndërkohë që te 19-vjeçarët është Enes Isufi. Me të mbaruar angazhimin me skuadrat përfaqësuese, këta lojtarë pritet t’i bashkohet skuadrës në mesjavë për të vijuar përgatitjet për Skënderbeun.

Me Vllazninë nuk është stërvitur ditët e fundit edhe sulmuesi Xhevahir Sukaj. Stresin e kartonin e kuq të marrë me Kukësin ai ka preferuar ta kalojë me një udhëtim në Mekë, vendin e shenjtë që e frekuenton vazhdimisht. Sulmuesi ka marrë leje te drejtuesit kuqeblu, të cilët nuk e kanë penguar, pasi nuk mund të luajë në ndeshjen e radhës. Nga sa bëhet e ditur, Sukaj është kthyer në Shqipëri dje në mbrëmje dhe sot pritet të jetë në stërvitje së bashku me grupin. 
Mungesa prej disa ditësh në stërvitje dhe në ndeshje e shtatlartit të prapavijës kuqeblu, Renato Malotës, nuk është përjetuar aspak mirë në kampin shkodran. Fjala nuk është këtu vetëm për aspektin sportiv, ku hera-herës tekniku Gjoka ka theksuar se mungesa e këtij futbollisti i prish shumë punë. Më shumë çështja e tij ndikon edhe në kolektivin kuqeblu, pasi ndjejnë keqardhje të madhe për situatën që po kalon Malota. Lajmet në adrese të tij prej ditësh janë bërë publike, por ato janë nga më të ndryshmet. Edhe pse emri i tij është pjesë e një liste që po hetohet nga organet e drejtësisë, vetë Malota ka sqaruar se ai dhe familja e tij nuk janë të përfshirë në akuzat që përfliten rreth abuzimit me tokat e bregdetit të Shëngjinit. Për këtë arsye, bashkë me avokatët e angazhuar për këtë çështje, ai shpreson ta zgjidhë situatën dhe duket se ka lajme pozitive. Nga sa bëhet e ditur, gjërat po ecin në rrugën e duhur dhe ndoshta duke filluar nga sot Malota mund ta mbyllë çështjen dhe më pas të bashkohet me Vllazninë. Me mirëkuptimin e organeve të drejtësisë, ai mund të lejohet të kthehet te Vllaznia, ndërkohë që çështja vijon të jetë në hetim e sipër për ta zbardhur të vërtetën. Mbrojtësi pritet t’i bashkohet Vllaznisë në stërvitje dhe në vijim edhe në ndeshjet zyrtare të saj. Nëse ndodh kështu, ky është një lajm i mirë për skuadrën kuqeblu, ku krahas të tjerave i jep frymëmarrje teknikut Gjoka për ndërtimin e formacionit për sfidën e ardhshme me Skënderbeun.

Gasper Marku / Sport Ekspres

Komentet