Vllaznia ka pritur disa orë, sa të bien nervat e lojës, por nuk ka heshtur në lidhje me gjykimin e Kukësi-Vllaznia, ku nuk u akordua një 11-metërsh në pjesën e dytë, pas një faulli në dëm të Sukajt. Gjyqtar i takimit ishte Eldorjan Hamiti, i cili edhe më parë është akuzuar se ka favorizuar Kukësin, ndaj Vllaznisë, që është bindur se penalltia, por edhe kartonët pa fund ndaj lojtarëve shkodranë dhe faullet e shumtë dhënë Kukësit janë bërë të gjitha me paramendim. Për pasojë, Vllaznia kërkon që Hamiti të mos jetë më i pranishëm në ndeshjet e saj. 

Ja edhe deklarata e klubit Vllaznia e bere ne faqen zyrtare te Vllaznise ne Facebook:
"KF Vllaznia është i detyruar të reagojë pas arbitrimit të vërejtur sot në ndeshjen Kukësi- Vllaznia, në rezultatin e së cilës mendojmë se ka pasur ndikim edhe arbitrimi. Tentativat e arbitrit kryesor që në minutat e para për të ndëshkuar lojtarët tanë me kartonë të verdhë, akordimi i faulleve afër zonës sonë për të favorizuar kundërshtarin (nga një faull erdhi goli i parë i vendasve) apo dhe rasti më fatal i mosakordimit të një 11-metërshi mëse të pastër, janë fakte të mjaftueshme për pretendimet tona. Pa lëne mënjanë edhe ndëshkimin me 7 kartonë për te na dëmtuar ne dhe favorizuar në mënyrë indirekte kundërshtarët tanë në gare. Pikërisht, nisur nga këto raste, mendojmë se rezultati i ndeshjes do të ishte ndryshe. Në këto rrethana, dënojmë ashpër sjelljen në fushë të këtij arbitri. Kampionati po shkon gradualisht drejt fundit dhe gara sa vjen e bëhet më e vështirë prandaj kurrsesi arbitrat nuk duhet të vendosin fatet e ndeshjeve siç bëri sot Eldorian Hamiti në Kukës. KF Vllaznia kërkon garë të ndershme dhe korrekte deri në fund të kampionatit dhe besoj se ky është minimumi i asaj që mund të kërkojmë. Përpos kësaj, KF Vllaznia kërkon nga FSHF që ky arbitër të mos e arbitrojë më në ndeshjet e ardhshme."
​