Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, ka mbetur mjaft i zhgënjyer nga sjellja e arbitrit Hamiti në ndeshjen kundër Kukësit, duke e quajtur “vjedhje” mosakordimin e penalltisë në favor të Sukajt, kur ndeshja ishte 1-0. Ishte një moment kyç i ndeshjes, edhe pse Gjoka është i ndershëm, kur e pranon se Vllaznia bëri gabime në fazën mbrojtëse.
– Sa ju penalizuan mungesat, duke nisur nga Vucaj, i cili organizon lojën?
– Nuk ishte thjesht mungesa e Vucajt, ishin 3 mungesa titullarësh, që na i bënë gjërat të vështira. Kishim përballë një rival të vështirë dhe nuk arritëm të bënim atë që synonim.
– Arbitri, si e komenton penalltinë e padhënë Sukajt?
– Mendoj se klubi duhet të marrë masa. Kjo është vjedhje, nuk di ç’të them, është si të të futin dortën në xhep e të të marrin atë që të takon. Ishte ndeshja 1-0, mund të barazonim dhe gjithçka ndryshonte. Vjet isha trajner i Kukësit, por nuk kemi marrë penallti të tilla. Starova nuk do ishte dakord? Mund ta pyesni edhe atë, për të gjitha rastet, edhe të skuadrës së tij. Gjithsesi, nuk do të thotë që nuk bëmë gabime sot, sepse golat erdhën për fajin tonë, si te goli i parë gabuam, ashtu edhe te goli i dytë.
– Gabimet në mbulim, pse erdhi goli i parë?
– Ne luajme me mbrojtje mikse, lojtarët gabuan në momentin e mbulimit të Shametit, por nuk veçoj askënd, e gjithë skuadra ka përgjegjësi.
– Çinari në stol?
– Ka luajtur shumë ndeshje kohët e fundit dhe fusha më shqetësonte, ndaj mendova ta ruja për pjesën e dytë.
– Sukaj dhe kartoni i kuq i evitueshëm, si u ndjeve?
– Gjëja kryesore ishte të tregoheshim të qetë, duke menduar të evitonim kartonët. Sukaj mendoi të bënte diçka për të ndihmuar skuadrën, kreu faull teknik, janë gjëra që ndodhin.
Komentet