E ka pëjetuar me shumë entuziazëm golin e parë me fanellën kuqeblu mbrojtësi lezhjan, Renato Malota, i cili pas ndeshjes theksoi: “Kemi punuar gjatë gjithë kësaj jave dhe kishim një besim në vetvete se këtë takim do ta fitonim. Ishte një takim qe kishte shumë vlerë për ne. Arsyeja pse festova ashtu ishte se ishin bërë shumë gjëra bashkë. Një nga arsyet është se ishte një gol, që do të na vlente shumë për të arritur te fitorja. U kënaqa dhe u gëzova më shumë se ky gol ndihmoi ekipin për të fituar këtë përballje kaq të rëndësishme.
Goli shkoi për familjen time. Ajo më ndjek në çdo takim dhe aq më shumë tani që jam pjesë e Vllaznisë. Ata janë tifozë të Vllaznisë dhe kanë ndjekur Vllazninë edhe pa qenë unë pjesë e saj. Ishte një trepikësh me vlerë. Normalisht, na ka kthyer në një farë mënyre qetësinë. Por ka shumë takime përpara dhe duhet të jemi me këmbë në tokë. Na jep frymëmarrje, por kur të sigurojmë mbijetesën, atëherë do të jemi të qetë.
Kemi dy transferta të vështira, por nëse luajmë si në dy përballjet e fundit, nuk ka asgjë të pamundur për t’u arritur”.
Komentet