Ndeshja e së premtes me Kukësin është shumë e rëndësishme për Vllazninë, që me afrimet e bëra në merkaton e dimrit, pritet të ketë një ecuri më të mirë e të mos rrezikohet nga rënia një kategori më poshtë. Mbrojtja është forcuar me tre lojtarë dhe sulmi me Sukajn, por do të jetë fusha ajo që do të tregojë se çfarë është gjendje të bëjë kjo Vllazni. Viti 2018 nis me një sfidë delikate, edhe pse luhet në stadiumin “Loro Boriçi”. Shkodranët do të ndeshen ndoshta me skuadrën më në formë të momentit, Kukësin, që me ardhjen e trajnerit Pakult duket i rilindur dhe në Turqi është përballur me sukses edhe me emra të mëdhenj si Fenerbahçe. Por edhe Vllaznia mendohet se ka ndryshuar për mirë, ku ardhja e lojtarëve si Malota, Berisha, Mersini dhe Sukaj duket se ka stabilizuar disa gjëra, kryesisht me prapavijën.
Kanë marrë fund tashmë edhe dilemat e trajnerit Ernest Gjoka në prag të sfidës me Kukësin. Lajmi i mirë ka ardhur dje nga në fushën e stadiumit “Reshit Rusi” nga stafi mjekësor për gjendjen e mbrojtësit Denis Pjeshka. Edhe pse në fakt kishte disa ditë që ishte rikthyer pas dëmtimit që pësoi në fund të vitit të kaluar, ditët e fundit të përgatitores në Ulqin rishfaqi probleme me gjendjen fizike, duke e vënë në dyshim gatishmërinë për të luajtur në ndeshjen me Kukësin. Dhe pas konfirmimit të stafit mjekësor, trajneri Gjoka e ka vendosur Pjeshkën menjëherë në krahun e djathtë të mbrojtjes, pikërisht aty ku kishte edhe dilemën e fundit për njëmbëdhjetëshin anti-Kukësi. Në fakt, aty është vendi i Olsi Gocajt, por me gjithë terapitë intensive të ditëve të fundit, edhe për këtë ndeshje ai nuk duket se është për lojë. Megjithatë, rikuperimi i Pjeshkës i ka dhënë qetësi teknikut kuqeblu, pasi futbollisti në fjalë e njehë mirë atë pozicion, ku ka pasur aktivizime të shumta.
Me zgjidhjen e problemit të krahut të djathtë të prapavijës, trajneri Gjoka e ka të qartë si do të luajë skuadra e tij në ndeshjen e së premtes. Më parë ai kishte marrë edhe “Ok”-in e Nuredin Orelesit në mesfushë, kështu që gjithçka është gati. Vllaznia pritet të dalë në fushë me këtë formacion: Në portë Alen Sherri, në mbrojtje Pjeshka, Malota, Berisha dhe Mersini, përpara mbrojtjes do të jenë Orelesi dhe Krymi, kurse pas sulmuesit të vetëm Sukaj do të luajnë Lika djathtas, Çinari majtas dhe Vucaj prapa. Ky pritet të jetë formacioni i Vllaznisë të premten në stadiumin “Loro Boriçi”, duke përjashtuar ndonjë lëqvizje surprizë të minutës së fundit.