Miqësorja e zhvilluar në Ulqin zbulon se Orelesi, jo vetëm që nuk ishte në lojë dhe as në pankinë, por nuk ka mbërritur as edhe një ditë në grumbullim. Për drejtuesit kuqeblu, Nuredin Orelesi ka qenë dhe është një ndër pikat më të forta dhe më kryesore të Vllaznisë. Lojtari me minutazhin më të madh të aktivizimit gjatë pjesës së parë të sezonit, edhe pse në karakteristikat e tij duhej të luante në mesfushë, për nevoja të skuadrës iu desh që në dy fazat e para të ishte në rolin e qendërmbrojtësit.
ë periudhën e ndërrimit të viteve, tekniku Gjoka vendosi që nigerianin ta largonte përfundimisht nga prapavija, dhe kësaj ia arriti qëllimit, pasi mundësoi ardhjen në skuadër të dy qendërmbrojtësve të afirmuar, Malota-Berisha. Por, ndërkohë që Gjoka dhe përgjithësisht media sportive e konsideron Orelesin titullar në mesfushën kuqeblu, vet nigeriani që pas ndeshjes me Partizanin në kryeqytet, e cila ishte edhe mbyllja e vitit 2017, ai nuk është parë të jetë në qytetin e Shkodrës, përfshirë edhe ditët e para të vitit 2018. Megjithatë, duke figuruar në listën e fazës përgatitore në Ulqin në opinion ishte krijuar ideja se nigeriani ishte duke u stërvitur me skuadrën në kampingun ulqinak. Por, ajo që e ka zbuluar një gjë të tillë ka qenë miqësorja e zhvilluar në Ulqin në mes Vllaznia A dhe Vllaznisë, ku Orelesi, jo vetëm që nuk ishte në lojë dhe as në pankinë, por nuk ka mbërritur as edhe një ditë në Ulqin. Orelesi duhej të kishte ardhur, por për arsye të procedurës së vizës, akoma nuk ka ardhur.
“Për mua është një shqetësim shumë i madh, sepse është një nga lojtarët kryesorë të skuadrës”, ka sqaruar tekniku Gjoka për gazetarët në lidhje me mungesën e Orelesit në Ulqin. Përtej asaj që shpreh Gjoka, në interesimet që gazeta bëri rreth kësaj çështje, Orelesi kishte ditë të tëra që pritej, por vonesa e ardhjes në Shqipëri ka qenë për arsye të tija personale. Madje, ndër të tjera ka pasur zëra edhe për ndonjë tentativë që nëpërmjet vonesës t’i bënte presion klubit që në këmbim të vazhdimit të bashkëpunimit të kërkonte rritje të pagës së tij në shifra të larta. Gjithsesi, burime pranë Orelesit bëjnë të ditur se ai ka mbërritur në Shqipëri dy ditë më parë, dhe realisht me mbërritjen në Tiranë ka filluar të merret edhe me procedure e marrjes së vizës hyrëse në shtetin e Malit të Zi.