“Mund të them se rezultati i takimit të parë nuk ka mbyllur asgjë për sa i përket kualifikimit. Një fitore 2-0 për ne në këtë takim mund të jetë më se i arritshëm. Për këtë unë dhe skuadra jemi përgatitur për të bërë të mundur që të shkruajmë në histori me kalimin e turit të parë. Për ne do të ishte shumë e bukur një gjë e tillë, pasi Vllaznia është klubi i parë shqiptar që merr pjesë në një kompeticion të tillë, ndaj kalimi në turin tjetër do të ishte një arritje e bukur. Është punuar në këtë drejtim dhe kam besim se mund t’ia dalim”, ka thënë tekniku.
Tekniku ka folur për gjendjen e lojtarëve të tij. Zmijani ka vlerësuar punën që skuadra ka bërë gjatë këtyre ditëve. “Mund të them se gjendja e ekipit është më e mira e mundshme. Kemi punuar shumë me djemtë për këtë ndeshje. Forma e lojtarëve është optimale, të paktën nuk kemi probleme me dëmtimet. Lojtarët, nga ana e tyre, janë të motivuar dhe janë të bindur për të treguar më të mirën. Të tjerat ia lëmë fushës. Nisur nga ajo që shikoj, ekipi është gati”, vijoi trajneri.
Trajneri Zmijani pohoi se i ka marrë masat e duhura për të përballuar me sukses kundërshtarin. Ai ka shikuar disa herë takimin e parë të zhvilluar me skuadrën e moldavëve duke evidentuar anët e forta dhe pikat e dobëta të Zimbrusë. “Natyrisht që kemi tani një vlerësim të qartë për kundërshtarin, për mënyrën se si luan, për pikët e forta e të dobëta që ka. Nisur nga kjo, ne kemi bërë edhe strategjinë tonë. Shpresoj që i kemi marrë masat e duhura për të kaluar me sukses këtë ndeshje. Objektivi ynë tani dihet, të kalojmë në turin tjetër. Mendoj se mundësitë janë”, shtoi trajneri i Vllaznisë U-19.
Në fund të fjalës së tij, tekniku i ekipit U-19, Luan Zmijani, ka vlerësuar edhe mbështetjen që ka patur ekipi gjatë gjithë kësaj kohe. Ndërsa kërkon natyrshëm që sot, në orën 18:00, të ketë edhe mbështetjen e tifozërisë kuqeblu. “Nga të gjitha instancat e klubit e FSHF-së mbështetja nuk na ka munguar. Mendoj që edhe tifozëria do të na mbështesë në këtë takim historik për Vllazninë. Do të jenë një shtysë më shumë për ne”, përfundoi Luan Zmijani. Vllaznia U-19 është grumbulluar dje në një prej hoteleve luksoze të Shkodrës. Formacioni i mundshëm për sot pritet të jetë: në portë: Qarri; në mbrojtje: Leka, Miloti, Isufi, Hyseni; në mesfushë: Çardaku, Rahova, Brahimi, Smajli; në sulm: Palushani, Pusi.
Komentet