Pavarësisht ngecjes në vend për momentin, procesi i privatimit të klubit të futbollit Vllaznia duket se nuk do të ndalet. Ka qenë kryebashkiakja Voltana Ademi e cila ka dhënë garancinë se brenda këtij viti, ky proces do të ketë marrë rrugë dhe do të kenë nisur procedurat e ankandit të aksioneve. Një deklaratë të tillë ajo e ka bërë mbrëmjen e së martës në një nga televizionet lokale të Shkodrës, ku ka qenë e ftuar, teksa ka deklaruar:

“Procesi i privatizimit do të vazhdojë dhe ne kemi hasur vështirësi në përgatitjen e termave të referencës. Nga konsultimi që i kemi bërë të gjitha materialeve, na rezulton se nuk ka një ekspertizë të tillë në Shqipëri apo nuk ka një shembull që të jetë ndjekur më përpara me një klub tjetër. Nuk kemi një ekspertizë shtetërore për këto lloj sipërmarrje, nëse mund ta quaj kështu. Prandaj kemi kërkuar mbështetje për hartimin e termave të referencës dhe mendojmë që të jetë gati brenda fundit të shtatorit në duart e Bashkisë Shkodër. Më pas do të nisë procesi i vlerësimit dhe pas kësaj, deri në fund të vitit, t’i hapim rrugë ankandit për blerjen e aksioneve. Nga ana tjetër, është një çështje më vete se kush do të jetë aksioner. Nuk jemi kurrsesi të sigurtë nëse do të blihen 5 aksione, 50, 49. Ne dëshirojmë që Bashkia Shkodër të mos jetë aksionere e vetme, por të jenë sa më shumë aksionerë, por deri atëherë ne do të vazhdojmë ta mbështesim Vllazninë dhe ky është një vullnet insituticional, politik, por edhe personal”.

TeleSport