Merr fund odeiseja e Edon Hasanit, pas mbylljes së kontratës me Kukësin, para mbarimit të sezonit të shkuar futbollistik. Emri i tij u përmend te Partizani në merkaton e kësaj vere, madje pati një takim të mesfushorit shkodran me presidentin Gazmend Demi, por trajneri i ri i të kuqve, Mark Iuliano, vendosi veton, duke mos e preferuar në projektin e tij. Në këtë mënyrë, pasi nuk siguroi dot një ekip të huaj nga jashtë vendit, çka ishte qëllim parësor, Hasani vendosi të kthehet në shtëpi, tek ekipi i zemrës, Vllaznia. Ai është prezantuar sot dhe përbën një prurje mjaft cilësore për Armand Cungun. Një sinjal vërtet pozitiv, se gjërat po ndryshojnë për mirë te Vllaznia. Kujtojmë se herën e fundit, kur Hasani ka luajtur me fanellën kuqeblu, ka qenë viti 2012.
Po ashtu, ditën e sotme ka rinovuar kontratën me Vllazninë edhe Olsi Gocaj. Futbollisti në fjalë do të jetë pjesë e skuadrës mëmë edhe në sezonin e ri, ndërsa kampionatin e shkuar ishte pjesë e rëndësishme e formacionit të Cungut. Dy konfirmime kuqeblu në ditën e largimit zyrtar të Shtubinës te Kukësi janë të mjaftueshme për të besuar se Vllaznia I ka “ndezur motorrët”.