Ish-futbollisti i mirënjohur shkodran, Paulin Ndoja, që mban edhe titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, mendon se Vllaznia ka nevojë për një merkato cilësore dhe jo thjesht për numra. “Për mendimin tim, Vllaznia është shumë vonë në merkato. Nuk mund të pranoj dhe them se jemi herët apo ka shumë kohë.

Por po të bëhen afrime cilësore, mendoj se përshtatja e tyre me ekipin është plotësisht e mundur. Nevoja për të marrë lojtarë të rinj dhe me nivel është e madhe dhe kjo duhet bërë sa më parë, pasi kalimi i ditëve e vështirëson gjendjen e futbollistëve që nevojiten”, ka thënë fillimisht Ndoja.

Ky i fundit është një nga emrat më të spikatur të portës shkodrane ndër vite. Ai nuk ka kontribuar tek ekipi i tij i zemrës vetëm si një nga lojtarët që kanë bërë historinë, por edhe si një nga trajnerët e portierëve që kanë lënë gjurmë në Superiore e jashtë saj.

Mund të përmendim se Armir Grima është një nga lojtarët që ka dalë nga duart e Ndojës. Duke u fokusuar te katërkëndëshi, ai mendon se është një nga repartet ku nuk ka nevojë për blerje.
 

Me përjashtim të portës, skuadra ka nevojë në të tre repartet për t’u forcuar me lojtarë cilësorë. Për mendimin tim, duke i njohur edhe vlerat e dy portierëve që sot ka ekipi i parë të paktën momentalisht si Selimaj e po ashtu edhe Sherri, janë portierë të mirë që duan më shumë besim.

Nuk mund të them se janë më të mirët e kampionatit, por janë ndër të mirët. Gjithashtu Vjerdha te Vllaznia B e portierët e akademisë Bajri, Qarri e Kurtulaj janë garanci për të ardhmen.

Unë do t’i rekomandoja drejtuesit e klubit që të bëjnë të pamundurën që të afrojnë sa më shumë lojtarët shkodranë. Ata duhet të jenë pjesë e ekipit. E ka provuar Shkodra ç’do të thotë të kenë shkodranë në gjirin e vet”, tha Ndoja.

E ARDHMJA – Në rast se klubi nuk reagon dhe nuk kryen merkato, sipas Ndojës e ardhmja do të jetë në rrezik. “Askush prej nesh nuk duhet ta çojë ndër mend se me këtë organikë skuadra do të hyjë në sezonin e ri.

uk dua që të tregohem pesimist se nuk është në natyrën time, por do të ishte e pamundur edhe për stafin e ekipin që të ishin konkurrues. Askush prej nesh nuk do që të përsëritet ajo që na ngjau në fundin e sezonit të shkuar.

Akoma edhe sot më vjen keq që iku Tirana, pasi kampionati ka nevojë për emra të tillë, por nuk dua që kjo të ndodhë me ne në fundsezonin e ardhshëm.

E thashë që nuk jemi vonë, por edhe herët nuk jemi, prandaj të gjithë ato që kanë përgjegjësitë të bëjnë të pamundurën që të forcojnë këtë skuadër që të jemi më kompetitivë në sezonin e ardhshëm”, ka mbyllur Ndoja.

 

Panorama Sport

Komentet