Barazimi i djeshëm 2-2 ndaj Luftëtarit është konsideruar një rezultat zhgënjyes nga tifozët shkodranë, sepse duke e luajtur në “Loro Boriçi” këtë ndeshje, mendohej që ajo do fitohej nga Vllaznia, e cila do të ngjitej në këtë mënyrë në vendin e katërt në renditje. Por nuk ka ndodhur kështu, sepse kuqeblutë kanë zhvilluar një 90’ minutësh përgjithësisht të dobët. I pyetur në lidhje me arsyet që çuan në këtë paraqitje, lojtari më me përvojë i skuadrës shkodrane, Endri Vrapi u shpreh: “Synimi ishte për të fituar ndaj Luftëtarit, por loja nuk arriti aty ku ne kërkuam. Kjo erdhi nga trysnia e krijuar nga ndeshja e Korçës, por dhe nga lodhja e lojtarëve në këtë fundsezoni”.

Me këtë barazim, Vllaznia ka mbetur sërish në vendin e pestë në renditje, megjithatë shanset për të zënë vendin e katërt janë ende në lojë. Kështu mendon edhe Vrapi kur shton: “Përderisa matematika na e lejon të mendojmë për të kapur këtë vend, nuk ka pse të mos e mendojmë dhe ta shpresojmë për ta arritur. Do të bëjmë ç’mos për ta tentuar deri në fund. Ndeshjet e mbetura do jenë shumë të forta, sepse edhe rivalët tona kanë përballje me ekipet që luajnë për titullin kampion, por edhe për të mos rënë nga kategoria”.
​Nga ana tjetër, është fundsezoni dhe natyrisht që bëhen edhe llogaritë e lojtaëve se çfarë do të bëjnë sezonin e ardhshëm. I pyetur nëse dëshiron të qëndrojë ende te Vllaznia në sezonin e ri, mbrojtësi veteran përgjigjet: “Dëshira është e madhe për të qëndruar sërish te Vllaznia, megjithatë çdo gjë do ta bisedojmë me drejtuesit, për të parë nëse do të vazhdojë bashkëpunimi apo jo. Kam kaluar një periudhë 18 mujore shumë të mirë dhe pse jo, të mos vazhdoj të luaj për këtë skuadër”.

Telesport.al

Komentet