Vllaznia ka nisur dje seancën e parë stërvitore për takimin me Skënderbeun. Barazimi me Korabin duket se ka prishur jo pak humorin. Një gjë e tillë është vënë re që në seancën e parë anti-Skënderbeu. Tekniku Cungu, edhe para nisjes së seancës së djeshme, duket se ende kishte nervat e asaj përballjeje të barazuar.

Një seancë që ka nisur si zakonisht me analizën e takimit të barazuar me Korabin, i cili është përjetuar si mos më keq. Ashtu si një javë më parë, analiza e djeshme është shoqëruar me tone të larta dhe ka zgjatur më shumë se 30 minuta. I pranishëm, përveç stafit teknik, ka qenë edhe drejtori sportiv, Eugent Zekaj. Ka mjaftuar humbja në Vlorë e barazimi me Korabin që tekniku të shfaqej sërish i rreptë me të tijtë.

“Ju kam thënë edhe një herë që e keni menduar kampionatin të mbaruar. Ju kam thënë para kësaj ndeshjeje se duhet shumë impenjim. Më vjen keq që keni shprehur jo pak nënvlerësim ndaj Korabit. Më vjen keq që kur duhet të jeni të përqendruar, ju nuk jeni. E keni menduar të fituar atë takim dhe ja si përfundoi. Më vjen keq që po çojmë dëm vetë atë që arritëm. Kam shumë rezerva për lojën e gjithsecilit. Nuk e di pse ndodhën këto gjëra”, këto mësohet t’u ketë thënë fillimisht tekniku lojtarëve gjatë analizës.

“Nuk keni treguar asgjë nga ajo që unë prisja. Kemi pësuar një zhgënjim total”, ka vijuar ai. Për këtë arsye, pas kësaj disfate, Vllaznia e ka lëshuar sërish vendin e katërt në renditje, por kjo nuk do të thotë asgjë, sepse mund ta rimarrë atë përsëri. Gjithsesi, ajo që stafi teknik i kuqebluve po kërkon, është që skuadra të gjejë sërish rezultatet pozitive. Pika e marrë ndaj Korabit nuk konsiderohet aspak pozitive, madje një rezultat i tillë ka shtuar më shumë kritikat ndaj ekipit, por edhe ka vënë sërish nën presion kuqeblutë.

“Janë edhe pesë ndeshje për t’u luajtur deri në fund të kampionatit dhe nëse vazhdojmë kështu, jo vetëm që s’e arrijmë vendin e katërt, por nuk është çudi që të rrëshqasim më poshtë”, ka përmendur tekniku. Objektivi i vënë nga drejtuesit e klubit është vendi i katërt dhe për ta siguruar atë do të duhet shumë djersë. Ndërsa drejtori sportiv Eugent Zekaj ka kërkuar nga lojtarët që të mos përsëritin ato gabime tekniko-taktike që i bënë në takimin me Korabin.

Panorama Sport

Komentet