Jo vetëm se është Vllaznia-Partizani, që tradicionalisht ka tërhequr vëmendjen e opinionit sportiv, por më së shumti nga rrethanat, në të cilat po përgatitet kjo sfidë, bëjnë që interesi për kryendeshjen e javës së 29-të të Superligës të jetë maksimal. Është lënë mbrëmja e së dielës, që të luhet kjo ndeshje në stadiumin “Loro Boriçi” dhe deri në atë moment, në kampet respektive po kryen përgatitjet e duhura për këtë përballje. Në kampin kuqeblu situata nuk është optimale, pasi ka mungesa, por edhe shumë presion për rezultatin. Përgatitjeve intensive për këtë ndeshje nuk u ka shërbyer aspak për mirë situata konfuze rreth akuzave dhe kundërakuzave në lidhje me një falimentim të mundshëm të klubit, që është hedhur poshtë nga drejtuesit e klubit shkodran. Por nuk ka mjaftuar vetëm kjo, sepse gjatë gjithë javës, pas barazimit në Kukës, kanë shpërthyer akuzat për një aleance të kuqebluve me Partizanin. Opinione këto, që dashje pa dashje kanë dhënë efektin e duhur te skuadra kuqeblu, duke e mbuluar me një presion të paparë. Në këto kushte, skuadrës kuqeblu, më shumë se asnjëherë tjetër i kërkohet të mundë Partizanin për të mbyllur “gojët e liga”. Dhe si për ta bërë edhe më të vështirë këtë objektiv, gjendja e skuadrës është problematike, sepse ka mungesa lojtarësh titullarë, plot gjashtë të tilla.
MESAZHI I DREJTUESVE – Skuadra kuqeblu, e drejtuar nga tekniku Cungu, zhvilloi dje seancën e parafundit stërvitore, që u ndoq nga afër edhe nga dy drejtuesit kryesorë të klubit, Gjyrezi dhe Zeka. Ata, ashtu si dhe tekniku Cungu, krahas përgatitjeve në fushë, janë marrë jo pak edhe me aspektin psikologjik, duke dashur t’i karikojnë sa më shumë lojtarët për këtë ndeshje. Ata i kanë kërkuar skuadrës të japë maksimumin në fushë, pasi kjo ndeshje vlen shumë jo vetëm për pikët e nevojshme të Vllaznisë për vendin e katërt, por më së shumti për karakterin e skuadrës, që ndokush është përpjekur ta nëpërkëmbë këto ditë, duke aluduar me aleanca të paqena me skuadrat e tjera. Mesazheve të drejtuesve dhe stafit teknik, futbollistët u janë përgjigjur me një përgjegjshmëri maksimale për sa i përket mobilizimit dhe lojës së fortë dhe të pastër, që do të shfaqin në fushë, duke pasur vetëm një synim, rezultatin pozitiv.
MUNGESAT – Nga sa u pa dje në fushë, Vllaznia do të ketë një sërë mungesash në formacion. Të konfirmuara janë ato të Endri Vrapit dhe Elis Bakajt, të dy ish-futbollistë të Partizanit, të cilët janë të skualifikuar. Por trajnerit Cungu pritet t’i mungojnë edhe futbollistë të tjerë, të cilët vuajnë nga dëmtimet, siç është Ardit Krymi, që mungoi edhe në Kukës. Edhe pse stafi mjekësor ka bërë të pamundurën, ai nuk do të jenë në fushë as të dielën. Një tjetër mungesë është edhe ajo e Florind Bardullës. Mesfushori u aktivizua me sforco me Kukësin dhe kjo ka dhënë efekt negativ në gjendjen e tij, duke e lënë automatikisht jashtë për ndeshjen e radhës. Nëse shtojmë edhe dyshen Kapaklia-Marku, numri i mungesave shkon në 6. Natyrisht, shumë për një skuadër dhe aq më tepër përballë një kundërshtari shumë të forte si Partizani. Megjithatë, nga sa është parë, kontigjenti në dispozicion të trajnerit Cungu, pritet të japë më të mirën e mundshme me synim marrjen e një rezultati pozitiv.
Sport Ekspres