Vllaznia do të ketë në “timonin” e saj edhe për një sezon trajnerin Armando Cungu. Përkundër asaj që është diskutuar dhe komentuar jo pak kohët e fundit në lidhje me largimin e mundshëm të teknikut shkodran, në klubin kuqeblu janë të sigurt se bashkëpunimi do të vazhdojë. Ata bëjnë të ditur se tekniku Cungu do të jetë edhe një vit tjetër në krye të Vllaznisë. Një lajm i mirë, nëse rezulton i vërtetë në fund, pasi tashmë dihen vlerat dhe aftësitë profesionale të këtij trajneri, i cili, si te Kukësi dhe Laçi, ku ka punuar më parë, edhe te Vllaznia po bën më të mirën. Nga një skuadër mbijetese prej 4-5 sezonesh, ai e rriti Vllazninë atë në nivelet e një pretendenteje për në Kupat e Europës. Informacioni në fjalë vjen nga njëri prej dy zyrtarëve më të lartë të klubit të Vllaznisë, drejtorit sportiv Eugent Zeka. Pasi përcjell vlerësime për punën e trajnerit Armando Cungu, ai bën të ditur se bashkëpunimi me të do të vazhdojë edhe për një vit tjetër për ta çuar më përpara projektin e nisur në klubin kuqeblu. “Trajneri Armando Cungu ka demonstruar gjatë këtij sezoni se është nga më të suksesshmit, bashkë me trajnerin e Luftëtarit. Si i tillë, pa dyshim që është në qendër të merkatos. Është faktor pozitiv, që trajnerë të suksesshëm të jenë në qendër të merkatos dhe të përfliten për skuadra të tjera. Ne kemi fatin, që trajnerin Cungu ta kemi në skuadrën tonë. Ai ka me Vllazninë një kontratë deri në 2018-ën dhe në fund të kampionatit, siç është shprehur edhe ai vetë, do t’i gëzojë ditët e pushimit si punonjës i klubit tonë. Më pas do të ulemi dhe do të bisedojmë për vazhdimësinë e projektit, që kemi përqafuar së bashku”, – thotë zyrtari i klubit kuqeblu, Zeka. Duke i kujtuar se kontrata e Cungut me Vllazninë, siç ka pohuar edhe vetë trajneri, përfundon në fund të sezonit aktual, drejtori Zeka rikonfirmon atë që tha më parë: “Sapo u shpreha se kontrata e profesor Cungut është deri në vitin 2018. Është faktor pozitiv, që të përfliten trajnerët e suksesshëm, rrit vetëm vlerat e trajnerit që ne kemi dhe rrit edhe vlerat tona, që kemi besuar tek ai”. Drejtori Zeka kërkon të mos lërë shteg për të tjera diskutime, por gjithçka mbetet për t’u parë.

BASHKËPUNIMI – Jo vetëm me rezultatet e arritura, por edhe me lojën e pëlqyeshme që ka shfaqur nga ndeshja në ndeshje, Vllaznia e këtij sezoni është më e mira e 4-5 viteve të fundit. Më tepër po evidentohet paraqitja e fazës së tretë, por për Zekën edhe në dy fazat e para Vllaznia ka qenë e tillë. “Edhe fazat e para të Vllaznisë kanë qenë shumë pozitive. Në bazë të statistikave për dy fazat e para, në ndeshjet e zhvilluara në shtëpi, renditej forca e katërt e kampionatit. E njëjta gjë edhe për pikët e grumbulluara në të gjitha ndeshjet e zhvilluara jashtë fushe. Kështu, edhe dy fazat e para kanë qenë të mrekullueshme për Vllazninë, jemi renditur pas dy fazave të para në vend të gjashtë, pavarësisht se kemi bërë shumë barazime,” – thekson Zeka. Sipas drejtorit sportiv të kuqebluve, sekreti i Vllaznisë fillon nga koka dhe deri te këmbët, që zbresin në fushë. “Është presidenti i klubit, znj.Voltana Ademi, e cila ka ndërtuar një staf shumë të mirë dhe profesional, si nga ana e drejtimit dhe menaxhimit të klubit, ashtu edhe nga ana e stafit teknik dhe skuadrës. Çdo gjë është në harmoni të plotë. Ky shpirt dhe kjo atmosferë pozitive dhe familjarizim i të gjithëve brenda Vllaznisë, pa dyshim që është meritë e drejtuesve të klubit dhe të gjithë ne, që kemi përqafuar këtë klimë. Këtë na e kanë transmetuar drejtuesit dhe ne e kemi përcjellë në skuadër”.

NGA MBIJETESA TEK EUROPA – Vetë pozitat, ku gjendet aktualisht skuadra kuqeblu, bëjnë që mbijetesa të mos diskutohet më. Këtë e pranon edhe vetë drejtori sportiv Zeka, madje duke vënë në dukje se ai personalisht ka qenë i bindur se Vllaznia do të mbërrinte në këtë pozicion komod në klasifikim: “Në të gjitha intervistat apo deklaratat e mija dhe të drejtuesve të klubit, jemi shprehur gjithmonë për mesin e artë të tabelës së klasifikimit dhe më shumë. Kështu, jemi në brendësi të objektivave që kemi fiksuar më parë, që nga fillimi i edicionit dhe në vazhdim. Tani jemi përherë e më shumë pranë ëndrrës për një vend të katërt të konsoliduar, pse jo për të marrë pjesë në Kupat e Europës, në bazë të përfundimit të Kupës së Shqipërisë, që shpresojmë dhe urojmë ta fitojë Skënderbeu, duke na ndihmuar për një vend në Europë edhe ne”, – shprehet Zeka.

Sport Ekspres

Komentet