Në Shkodër, gjithnjë e më tepër vazhdojnë t'i besojnë elementit të ri dhe të perspektivës. Pas kontraktimit pak kohë më parë të tre futbollistëve të ekipit U-19 të Akademisë së Vllaznisë, tashmë bëhen realitet edhe dy firma të tjera me klubin shkodran. Ajo që e bën edhe më interesant këtë vendim të kryesisë, është fakti që bëhet fjalë për dy futbollistë në moshë më të vogël. Konkretisht janë dy mesfushorët, Lekaj e Repaj, të datëlindjes 2000, të cilët konsiderohen si elementë me shumë perspektivë dhe për këtë arsye, klubi Vllaznia ka vendosur të firmosë marrëveshje kontraktuale me ta. Kjo bëhet e ditur në faqen zyrtare të klubit.
“Vazhdojnë surprizat te Akademia e Vllaznisë. Në këtë pranverë, drejtuesit e Vllaznisë formalizojnë me sukses marrëveshjet kontraktuale edhe me dy futbollistë paratërinj. Bëhet fjalë për mbrojtësin Elmir Lekaj dhe mesfushorin Serjan Repaj, të dy këta të datëlindjes 2000 dhe që aktivizohen me sukses pranë skuadres U-17. Të reja të tilla pranë Akademisë, tregojnë përherë e më shumë interesimin dhe vëmendjen e Klubit Vllaznia në projektin e rritjes dhe formimit të brezit të ri, për të ardhmen e shpejtë. Surpriza të tjera do të vazhdojnë të shoqërojnë procesin e punës te Akademia, për t’i dhënë përherë e më shumë rëndësi evidentimit dhe promovimit të elementëve më të spikatur pranë Akademisë së Vllaznisë, pavarësisht nga mosha dhe kategoria, ku ata aktivizohen”, citon njoftimi i klubit. Me ardhjen e drejtorit të ri sportiv Eugent Zeka, puna e tij më tepër është fokusuar tek elementi i ri dhe në bashkëpunim me trajnerëët e moshave në këtë klub si dhe me përgjegjësin teknik të Akademisë, Alban Neziri, po mendojnë të ndërtojnë strategji afatgjatë. Këto firma të hedhura së fundi, janë treguesi më i mirë për këtë.
Burimi: telesport.al
Komentet