Një Vllazni super e motivuar ndaj Lacit, në përplasjen direkte të “Loro Boricit”. Vetëm një pikë ndaj këtij kundërshtari në 9 takimet e fundit në kampionat që nga 2013-ta, një tabu për t’u thyer për objektivin mbijetesë. Statistika tepër negative për kuqeblutë, por Endri Vrapi i lë mënjanë, pasi për të nuk kanë vlerë para ndeshjes së radhës me kurbinasit.

“Nuk mund të themi që është ndeshje e vështirë por një takim që duhet vlerësuar, duke parë që edhe bilancin nuk e kemi shumë të mirë me Lacin. E konsiderojmë ndeshje të radhës dhe e kemi vlerësuar aq sa i takon. Probleme kemi pasur por shpresojmë që të rikuperojmë të gjithë lojtarët. Gjithsesi ata që do të luajnë besoj se e meritojnë të jenë titullarë duke fituar edhe besimin e trajnerit. Cdo skuadër futet në fushë për tri pikët, pastaj rezultatit nuk i duhet kurrë. Shpresoj që ta mbyllim me pozitivitet që për mua janë tri pikët.

Në fazën e parë në “Loro Borici”, kurbinasit përmbysën avantazhin e Shtubinës, duke fituar 1-2. Edhe pse mundohet të shmangë presionin e rezultatit, Vrapi e pranon se ka ardhur momenti për t’u hakmarrë ndaj Lacit.

Ndeshja është aq e lehtë aq edhe e vështirë, nëse i përkushtohemi 100% mund ta fitojmë. Do të bëjmë maksimumin për ta fituar. Frikë nuk kemi, futbolli prandaj është i bukur i ka të tre rezultatet. Ndoshta është e treta e vërteta dhe i kthejmë reston Lacit.

Për Vllazninë ky është një moment delikat. Nga njëra ana hijet e mbijetesës, nga ana tjetër vendi i katërt, që arrihet me një sukses ndaj ekipit të Sinellës. Vrapi parashikon një garë edhe më të ashpër gjatë fazës së katërt.

Nga vendi i katërt te vendi i parafundit është një grup skuadrësh që mund të pretendojnë ose të bien nga kategoria. Faza e katërt do të jetë më e vështirë. Shpresoj t’i mbyllim me sukses edhe këto dy javë që na kanë mbetur. E rëndësishme është që Vllaznia të arrijë objektivat, nuk më intereson shumë cila bie nga kategoria. 

Komentet