“Normalisht, është ndeshje e rëndësishme. Fakti që luajmë në shtëpi dhe kundër ekipit kampion në fuqi i jep edhe më shumë rëndësi asaj. Megjithatë, jemi munduar ta konsiderojmë ndeshje të radhës dhe ta përgatisim sa më mirë, ndonëse kemi jo pak problem. Besoj se djemtë kanë për të dhënë më të mirën e tyre.”
“Një numër lojtarësh, fatkeqësisht nuk janë në dispozicion për nesër. Pavarësisht kësaj, jemi munduar të bëjmë më të mirën dhe, ata që do të luajnë, shpresojmë të tregojnë karakterin e tyre edhe këtë herë, siç kanë bërë gjithë këto ndeshjet e fundit. Thashethemet para kësaj ndeshjeje? Në demokracinë tonë të turbullt, në tranzicionin e pafundmë 27-vjeçar, sigurisht që gjithsecili ka të drejtë të mendojë, të komentojë dhe të shprehet. Ashtu siç është e drejta ime, të mbroj skuadrën dhe këta djem.”
“Po e them publikisht: atë që Vllaznia e ka arritur deri më sot e ka me shumë mund e djersë të derdhur. Askush nuk i ka falur gjë. Nëse dikush ka diçka për të shtuar, të japë faktet. Më vjen shumë keq kur ky sulm vjen nga shkodranët. 27 pikët e marra deri më sot i kemi merituar, madje duhej të kishim patur edhe ndonjë më shumë.”
“Unë si trajner jam munduar ta mbaj skuadrën larg këtyre thashethemeve, ndonëse në futbollin shqiptar dhe, sidomos në Shkodër, ato janë të pafundme. Madje, po ju tregoj që para se të vija në këtë konferencë për shtyp u informova se, sipas tavolinave të Shkodrës, edhe ndeshja me Flamurtarin ka qenë e kurdisur, e luajtur!!! Nuk e di kush janë këto persona që shpikin gjëra të tilla, kur në atë ndeshje të gjithë kanë qenë pranë një infarkti, për nga mënyra si rrodhën ngjarjet. Por duket se gjërat kështu janë gatuar.”
“Kur fitohet është e blerë, kur humbet është e shitur. Dua t’i garantoj të gjithë, edhe njëherë, se Armando Cungu kudo ku ka punuar, për më tepër tani te Vllaznia, nuk ka shanse për t’i thënë një herë të vetme futbollistit për të toleruar. Kërkesa ime e vetme është fitorja në çdo ndeshje. Këtë gjë do të kërkoj edhe nesër, ndoshta edhe më shumë, duke patur parasysh gjithë këto fjalë që kanë qarkulluar ditët e fundit. Nuk do ta kemi të lehtë, sepse përballë do të kemi një ekip të uritur për të rimarrë kreun. Përpos kësaj, kemi edhe ne problemet tona. Gjithsesi, ata që do të luajnë, do të hyjnë në fushë me një objektiv të vetëm, për ta fituar ndeshjen. Kjo do të ishte përgjigja më e mirë për të gjitha thashethemet dhe aludimet e krijuara.”