Shkodranët e drejtuar nga Armando Cungu janë mposhtur në ndeshjen miqësore përballë Besëlidhjes të zhvilluar në stadiumin e Lezhës. Një gol i Ajazit në minutën e 19 i ka mjaftuar vendasve për të mposhtur Vllazninë. Ky test është i pari i vërtetë në këtë fazë përgatitore për kuqeblutë sepse ata gjatë grumbullimit në Ulqin u ndeshën vetëm kundër ekipit të tyre U-19.

Trajneri Cungu nga minuta e parë ka hedhur në fushë futbollistët Agoviç, Gocaj, Cicmil, Bicaj, Mulemo, Krymi, Bardulla, Tafili, Kalaja, Çinari dhe Shtubina. Ndërkohë në pjesën e dytë janë aktivizuar edhe Selimaj, Gurishta, Vrapi, Pjeshka, Kapaklija, Kruja, Pepa, Vecaj dhe Dyca.

Sipas njoftimit të Vllaznisë në faqen zyrtare në internet, shkodranët kanë zhvilluar një lojë të mirë duke krijuar disa raste edhe pse mungoi goli. Sipas tyre në nivelin e lojës ndikoi edhe gjendja e keqe e fushës. Besëlidhja edhe pse luan në Kategorinë e Parë ishte një test i rëndësishëm për kuqeblutë sepse i ka dhënë provat që është një ekip mjaft i fortë duke eliminuar nga Kupa e Shqipërisë Partizanin, një nga pretendentët e mëdhenj për titull në Kategorinë Superiore.

Panorama Sport

Komentet