Dy fitore rresht dhe 3 pikë shumë të rëndësishme në “Loro Boriçi” ndaj Korabit. Vllaznia ka arsye të festojë sepse zona e lartë e klasifikimit është më afër për shkodranët që ngjiten në kuotën e 18 pikëve dhe i largohen me një diferencë të ndjeshme zonës së ftohtë. Armando Cungu duket se e ka gjetur ilaçin për të kuruar plagët e skuadrës së tij që arriti të dominojë 3-0 dibranët në një sfidë ku doli në pah cinizmi i skuadrës shkodrane dhe mungesa e eksperiencës së dibranëve që prodhuan lojë por jo gola. Vllaznia e përgjumur në minutat e para kur fillimisht Korabi kërcënoi me Çelën në minutën e parë dhe të tetë, ndërsa pak sekonda më pas, Plaku shërbeu saktësisht për Mziun por goditja e këtij të fundit u grushtua nga Agovic. Në momentin më të mirë të dibranëve, mendoi Vujadinovic për të zhbllokuar sfidën me një dalje të gabuar (23) që i dha mundësinë sulmuesit shkodran Shtubina për ta stampuar i qetë topi në rrjetë.
Korabi nuk u demoralizua por në mënyrë të përsëritur tregoi paqartësi në sulm. Një tentativë pa shumë rrezikshmëri regjistroi sërish Çela në minutën e 27, ndërsa 6 minuta më pas Bicaj largoi nga këmbët e Nexhipit një top të rrezikshëm. Vllaznia e dha sinjalin e dytë të ndeshjes 5 minuta pas rikthimit në fushë kur Kalaja goditi nga jashtë zonës por Vujadinovic i mohoi golin e parë personal. “Black out” në minutën e 54 kur dritat e stadiumit “Loro Boriçi” u fikën, por pas më shumë se 5 minutave gjithçka iu rikthye normalitetit. Vllaznia e kujdesshme për të mos lejuar hapësira rrezikoi të pësonte golin e barazimit në të 65-ën kur Plaku ekzekutoi rrezikshëm një goditje dënimi por Agovic iu kundërpërgjigj me të njëjtën monedhë. 10 minuta më vonë doli në skenë Bardulla që nuk fali me një goditje të saktë.
Një gol që goditi psikologjikisht Korabin që hoqi dorë përfundimisht nga misioni për të mos dalë pa pikë nga transferta e Shkodrës sepse në minutën e parë shtesë, Tafili sigloi edhe rrjetën e tretë. Humbja e javës së 13 i rëndon edhe më shumë pozitat e skuadrës së Gerd Haxhiut që mbetet në vendin e fundit të klasifikimit me vetëm 6 pikë.
Super Sport
Komentet