Fotot flasin vetë. Natyrisht që nuk ka nevojë për shumë koment kur sheh mënyrën si është degraduar tapeti i këtij stadiumi ndonëse në të janë luajtur vetëm gjashtë ndeshje, tre të kombëtares sonë, një e kombëtares së Kosovës dhe dy të Vllaznisë. Kjo e fundit madje, nuk do të ketë mundësinë t'i gëzohet sërish të luajturit në "Loro Boriçi". Federata ka vendosur që dy ndeshjet e rradhës të saj, ato ndaj Laçit dhe Teutës, t'i zhvillojë në fushën sportive "Reshit Rusi". Në Shkodër ky vendim konsiderohet jo i drejtë edhe për atë se ky institucion nuk e lejoi skuadrën kuqeblu të luante në këtë fushë edhe ndaj Skënderbeut. Megjithatë tashmë gjërat nuk mund të ndryshojnë më. Ajo që mbetet është skandali i ndodhur me tapetin e stadiumit. Punonjës të klubit Vllaznia në fakt kanë ngritur zërin që në momentin kur ka nisur shtrimi i tij sepse është bërë në muajin janar, çka nuk është periudha aspak e përshtatshme për një gjë të tillë. Por u bë ashtu sepse kryeministri në atë kohë deklaronte se inagurimi i stadiumit do bëhej në muajin shkurt dhe për këtë arsye, firma ishte e detyruar të vepronte në atë mënyrë. Përpos kësaj, edhe mënyra e shtrimit nuk ka qenë ajo e duhura. Prandaj dhe kemi mbërritur në këtë gjendje ku ai është sot. Ky është absurditeti i rradhës në Shqipëri por me siguri jo i fundit.
"Loro Boriçi" i mbyllur për një muaj. Nis puna me tapetin
Vetëm 45 ditë pas inagurimit të stadiumit "Loro Boriçi", ka filluar ndërhyrja në tapetin e tij. Federata Shqiptare e Futbollit, është detyruar të bëjë një ndërhyrje të tillë në mënyrë që ta kthejë në parametrat optimalë dhe ta bëjë gati për ndeshjen e rradhës të kombëtares shqiptare, atë që do të luhet më 12 nëntor ndaj Izraelit. Për këtë arsye, prej dy ditësh, punonjësit e terreneve sportive kanë nisur punën në këtë impiant sportiv. Nuk bëhet fjalë për heqje krejtësisht të tapetit aktual dhe vendosjen e një të riu por specialistët përkatës kanë menduar një zgjidhje tjetër për mbledhje bari dhe bashkimin e tij me barin aktual.