Fotot flasin vetë. Natyrisht që nuk ka nevojë për shumë koment kur sheh mënyrën si është degraduar tapeti i këtij stadiumi ndonëse në të janë luajtur vetëm gjashtë ndeshje, tre të kombëtares sonë, një e kombëtares së Kosovës dhe dy të Vllaznisë. Kjo e fundit madje, nuk do të ketë mundësinë t'i gëzohet sërish të luajturit në "Loro Boriçi". Federata ka vendosur që dy ndeshjet e rradhës të saj, ato ndaj Laçit dhe Teutës, t'i zhvillojë në fushën sportive "Reshit Rusi". Në Shkodër ky vendim konsiderohet jo i drejtë edhe për atë se ky institucion nuk e lejoi skuadrën kuqeblu të luante në këtë fushë edhe ndaj Skënderbeut. Megjithatë tashmë gjërat nuk mund të ndryshojnë më. Ajo që mbetet është skandali i ndodhur me tapetin e stadiumit. Punonjës të klubit Vllaznia në fakt kanë ngritur zërin që në momentin kur ka nisur shtrimi i tij sepse është bërë në muajin janar, çka nuk është periudha aspak e përshtatshme për një gjë të tillë. Por u bë ashtu sepse kryeministri në atë kohë deklaronte se inagurimi i stadiumit do bëhej në muajin shkurt dhe për këtë arsye, firma ishte e detyruar të vepronte në atë mënyrë. Përpos kësaj, edhe mënyra e shtrimit nuk ka qenë ajo e duhura. Prandaj dhe kemi mbërritur në këtë gjendje ku ai është sot. Ky është absurditeti i rradhës në Shqipëri por me siguri jo i fundit.

Komentet