Mesjava rikthen në vëmendje Superligën Shqiptare. Sot, në orën 14:00, në stadiumin e Peqinit, do të luhet takimi Luftëtari-Vllaznia. Skuadra shkodrane ka zhvilluar përgatitjet e fundit për këtë ndeshje dhe, sipas trajnerit Armando Cungu, objektivi i saj është i qartë: marrja e 3 pikëve. “Mendoj se kemi lënë pas çdo gjë, sa i takonte humbjes me Skënderbeun. Unë, bashkë me sportistët, kemi nxjerrë përgjegjësitë e asaj loje të dobët. Sigurisht, më pas kemi nisur të mendojmë për ndeshjen e radhës, me Luftëtarin. Kampionati ynë tani fillon, me këto tri skuadra, që do të ndeshemi në javët e ardhshme. Pikë së pari duhet të mendojmë për ballafaqimin me gjirokastritët, të cilin duhet ta fitojmë. Mendoj se i kemi mundësitë për ta bërë një gjë të tillë. Kemi përbërje më të mirë, mendoj se edhe jemi stërvitur më mire, prandaj nuk ka arsye pse të mos kërkojmë vetëm fitoren,” – ka thënë ai për gazetarët në konferencën e sotme për shtyp.

Megjithatë, për stafin teknik të kuqebluve problem do të jetë mungesa e disa futbollistëve. Gjithsesi, Cungu thotë se i ka marrë masat për të luajtur edhe pa këta futbollistë: “Kemi disa mungesa objektive dhe subjektive. Kështu, Marku mungon prej tri javësh, për arsye dëmtimi. Po për arsye objektive është edhe mungesa e Krymit, me kartonë. Por, për arsye subjektive mendoj se nuk do të kemi të gatshëm Gurishtën dhe Vecajn. Ata mbërrijnë sonte në darkë nga Izraeli, ku kanë qenë me kombëtaren U-21. Kanë luajtur mbrëmë, janë lodhur nga rruga dhe për rrjedhojë nuk mund të jenë në fushë. Ndoshta drejtuesit e federatës duhej t’i kishin menduar më mirë këto punë, megjithatë ne do të vazhdojmë punën tonë dhe të mendojmë për t’i zëvendësuar këto futbollistë. Gjatë këtyre ditëve kam vëzhguar nga afër edhe Kalajën, Krujën dhe Çinarin. Kam dashur t’i kem në vëmendje, sepse mund të ketë edhe ndryshime në formacion, por të presim. E sigurtë është se në fushë nesër do të jenë ato futbollistë, që janë paraqitur më mirë në stërvitje këto ditë.”

Telesport