Kam shumë respekt për kundërshtarin. Korabi vërtetë është debutues në Superligë, por në radhët e veta ka shumë lojtarë të mirë. Pesë apo gjashtë prej tyre i kam stërvitur te Laçi. Pastaj janë edhe Nexhipi, Plaku, Peposhi e lojtarë të tjerë të Superligës, që i kanë dhënë vlera kësaj skuadre. Natyrisht, kundërshtari është nën presion për ta fituar këtë ndeshje dhe këtë gjë ne duhet ta shfytëzojmë. Edhe ne mund të jemi para njëfarë presioni, sepse tifozët mund të mendojnë se është një ndeshje e lehtë dhe duhet fituar patjetër, por nuk nisem nga kjo. Unë nisem nga fakti se futbollistët e mi gëzojnë një formë të mirë dhe, falë kësaj forme, duhet të synojmë fitoren ndaj çdo lloj kundërshtari.”

Shumëkush ka nisur të mendojë për një skuadër pretendente sivjet, megjithatë trajneri Cungu, edhe njëherë tjetër, bën të ditur se nuk duhet shkuar kaq larg me objektivat që duhet të ketë Vllaznia. “Personalisht nuk jam për një Vllazni të madhe. Jam për një skuadër që të sigurojë sa më shpejt mbijetesën dhe më pas, duke parë edhe mundësitë, por edhe faktorët e tjerë që do të na shoqërojnë, të shohim për t’u ngjitur ndonjë vend më lart në renditje,” – ka thënë ai. Ndeshja Korabi-Vllaznia do të luhet ditën e shtunë, në orën 14:00, në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit, pa praninë e tifozëve, për shkak të dënimit të ekipit dibran.

 

Komentet