Talenti i lindur në Malësinë e Madhe, pasi ka shkëlqyer me grupmoshat e Vllaznisë, kërkon të ecë në gjurmët e bomberave shkodranë.
Goli i djeshëm në stadiumin “Loro Boriçi” ishte fillimi i një karriere premtuese për sulmuesin, që si për koincidencë, ka lidhje farefisnore me Bekim Balajn. Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, ai tregon për ëndrrat që ka, idhullin në futboll dhe pse nuk arriti të firmoste me Rijekën në Kroaci.
Kur keni nisur të luani futboll?
E kam nisur futbollin kur isha 8 vjeç.
Kush është trajneri juaj i parë?
Taip Piraniqi. Jam stërvitur me profesorin nga mosha 8 deri 12 vjeç.
Në cilin qytet keni lindur?
Jam me origjinë nga Malësia e Madhe dhe kam lindur në Koplik. Megjithatë, unë mund të quhem shkodran.
A keni një lojtar që ju frymëzon?
Po, idhulli im është Kristiano Ronaldo.
Po në futbollin shqiptar, a ka një lojtar që kërkoni t’i ngjasoni?
Nga shqiptarët është Bekim Balaj. Dua t’ju zbuloj se kam edhe një lidhje farefisnore me Bekimin.
Kush trajner ju ka afruar për herë të parë te skuadra e të rriturve të Vllaznisë?
Ka qenë Baldo Raineri, kur unë isha vetëm 16 vjeç. Më pas më grumbulloi Armir Grima dhe debutova në një ndeshje të Kupës së Shqipërisë ndaj Apolonisë. Tashmë me profesor Armando Cungun m’u krijua mundësia të debutoja në Kategorinë Superiore. Ndaj Kukësit luajta për herë të parë, ndërsa si titullar mundësia m’u dha ndaj Flamurtarit. Nuk e prisja, por besoj se ia kam shpërblyer besimin trajnerit.
Mes Salihit dhe Sukajt, kë do të dëshironit ta kishit “partner” në sulm?
Të dy janë shumë cilësorë dhe nuk mund t’i ndaj, më mirëkuptoni.
Cila është ëndrra juaj në futboll?
Natyrisht që të jem pjesë e Kombëtares. Shqipëria ka ecur shumë në vitet e fundit dhe të gjithë ëndërrojnë të veshin fanellën kuqezi.
Një vit më parë keni qenë pjesë e akademisë së Rijekës. Pse nuk firmosët me klubin kroat?
U stërvita për disa muaj te Rijeka, por duhet të prisja të bëhesha 18 vjeç për të firmosur kontratë profesioniste, në mënyrë që të federohesha me ekipin e parë. Për fat të keq, u shkri edhe skuadra e dytë e Rijekës, kështu që zgjodha mes dy alternativave. Mendova më mirë të jem me Vllazninë në Superiore, sesa të pres kot për disa muaj. Gjërat nuk shkuan siç mendova në fillim kur shkova në Kroaci.
Për cilin klub europian bëni tifo?
Për Realin e Madridit. Unë gjithmonë bëj tifo me skuadrën ku luan Ronaldo. Ku të shkojë ai, me atë ekip do jem.
Cili është ushqimi juaj i preferuar?
Kam qejf peshkun krap.
Na tregoni se cili ka qenë urimi më i bukur që keni marrë pas ndeshjes?
Nuk mund të veçoj asnjë, pasi kanë qenë shumë, vërtet shumë.
Panorama Sport
Komentet