Sigurisht që është një gjest për t’u vlerësuar, sepse përveçse futbollistë të mirë, kuqeblutë po tregojnë se janë edhe shumë humane. Dhe nuk është rasti i pare, që ata ndërmarrin të tilla iniciativa. Madje, nga sa merret vesh, iniciativa të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Këtë e ka bërë të ditur kapiteni Shtubina, kur ka thënë: “E kemi bërë si plan të gjithë, ne, futbollistët e ekipit, që pas çdo ndeshjeje të luajtur të mbledhim një shumë lekësh për njerëzit në nevojë. Këtë radhë i takoi Kurban Bajrami dhe menduam që t’i çonim tek azili i pleqve, ndërsa herët e tjera do t’i çojmë te familjet e varfëra”.
Iniciativa humane e Vllaznisë: Çdo javë, ndihma për të varfërit
Dy prej futbollistëve të Vllaznisë, pikërisht kapiteni Ndriçim Shtubina dhe Alsid Tafili, sot kanë ndërmarrë një veprim shumë fisnik. Duke shfrytëzuar faktin që ishte festa e Kurban Bajramit, ata kanë bërë kurban. Mishin e kanë dërguar te shtëpia e të moshuarve në Shkodër, në mënyrë që edhe ata të gëzojnë një ditë ndryshe. Një iniciativë që e kanë ndërmarrë në emër të të gjithë ekipit, futbollistëve dhe stafit teknik. Ekipi nuk ka qenë në qytetin e vet së fundi, për shkak të angazhimit në ndeshjen e radhës, të luajtur pasditen e së hënës, në Elbasan, ndaj Partizanit, por mëngjesin e sotëm, puna e parë që kanë bërë kuqeblutë, ka qenë ndarja e kurbanit.