Për skuadrën shkodrane vjen edhe miqësorja e dytë në këtë fazë përgatitore. Ajo do të zhvillohet të premten pasdite në orën 18.00 në Tivar, ndaj skuadrës vendase të Mornarit. Ka qenë zëvendëstrajneri i Vllaznisë Aleksandar Maxhar (është nga ky qytet i vendit fqinj) që e ka rregulluar këtë miqësore që do t’i vlejë jo pak stafit kuqeblu për të parë gjendjen e skuadrës, por edhe formën e disa prej lojtarëve të huaj të ardhur për provë. Cungut dhe stafit të tij do t’i duhet të vendosë kryesisht për portierin Agoviç dhe sulmuesin Rakiç që luajtën edhe në miqësoren ndaj Deçiç, ndërkohë që pritet të shihet edhe forma e mesfushorit Markoviç që ka mbërritur ditën e djeshme në Shkodër.
Sa për portierin Delibashiç, edhe ky i mbërritur dje, ka pak shanse që ai të qëndrojë. Vllaznia po mundohet të gjejë lojtarët e duhur në merkato dhe për këtë nuk po nxitohet, por po shohin me shumë qetësi të gjithë opsionet. Stafi i kësaj skuadre në fakt është parë shumë i irrituar me shumë lajme që kanë qarkulluar ditët e fundit e që flasin për afrime të ndryshme lojtarësh, madje firmosja e kontratave prej tyre bëhet fakt i kryer. Shembulli më i fundit është ai i mbrojtësit Vidoviç, i cili u është ofruar shkodranëve që në janar por ata e kanë refuzuar në mënyrë kategorike. Përveç tij edhe ndonjë tjetër. Trajneri Cungu ka dëshirë të prekë me dorën e tij çdo lëvizje dhe për këtë po matet mirë në afrimet që po bën.
TeleSport.al