Ndonëse në programin e kuqebluve, futbollistët e ardhur për provë ishin planifikuar të qëndronin deri në fund të javës, vendimet për ta duket se kanë dalë disi më herët. Dhe, nga sa bëhet e ditur, ka ardhur nga niveli jo i kënaqshëm, që kanë përcjellë në ditët stërvitore të kësaj jave, duke bërë që drejtuesit të marrin vendimin e tyre më shpejt. Kjo gjë është bërë në shërbim të skuadrës kuqeblu, por edhe të vetë lojtarëve të ardhur për provë, të cilëve, duke qenë se u bëhet e qartë se nuk janë në planet e tyre, kanë mundësi të shikojnë alternativa të tjera për të ardhmen e tyre. Kështu, zyrtare është se njëri nga portierët, pikërisht kosovari që ka qenë sezonin e kaluar pjesë e skuadrës bardheblu të Tiranës, Ilir Avdyli, e ka mbyllur më shpejt se të tjerët aventurën te kuqeblutë. Portieri në fjalë ka konsumuar seancën e fundit në përbërje të kuqebluve dhe dje i është bërë e ditur se nuk është në planet e stafit kuqeblu.
Ndërkohë, për konkurrentin e tij, shqiptaro-malazezin Jasmin Agoviç, duket se opinionet janë disi më ndryshe. Drejtuesit dhe në veçanti trajneri i portierëve, Avenir Dani, i cili është edhe përgjegjësi kryesor për një vendimmarrje të tillë, ka dalluar elemente pozitivë, që do të thotë se shanset për të qëndruar në Shkodër janë më të shumta. Gjithsesi, për të mbërritur deri te zyrtarizimi dhe nënshkrimi i kontratës, ka akoma punë për të bërë. Ndërsa për dyshen tjetër, kosovarin Valdrin Rashica dhe shkodranin Senad Lekaj, i ardhur së fundi nga kampionati amator gjerman, megjithë përpjekjet që po bëjnë për të bindur stafin shkodran, shanset janë shumë të pakta për të marrë një “OK” nga drejtuesit. Faktikisht, edhe pse ende nuk u është bërë i ditur largimi nga skuadra, një njoftim i tillë pritet të jetë jo më larg se fundi i javës, pasi stafi nuk ka arritur të dallojë vlerat e atyre futbollistëve që ata kërkojnë në fushën e lojës.
Sport Ekspres