Në skuadër nuk ka asnjë mungesë. Pas pesë ditësh pushim, ekipi i Vllaznisë i është rikthyer pasditen e sotme sërish stërvitjes. Ajo që ka rënë në sy në stërvitjen e zhvilluar në “Reshit Rusi” ka qenë prania e të gjithë futbollistëve që janë ende nën kontratë me këtë skuadër. Ndonëse u mendua ndryshe, të pranishëm kanë qenë edhe dy malazezët Cicmil dhe Dragojeviç, ndonëse ky i fundit pritet të mos jetë më pjesë e kuqebluve. Po ashtu, të pranishëm kanë qenë edhe dy kryeqytetasit Sefa e Vrapi, madje ky i fundit ka shfrytëzuar edhe praninë në stërvitje për të qerasur shokët e skuadrës dhe të stafit teknik për 34 vjetorin e lindjes.

Ajo që ka rënë në sy në këtë seancë ka qenë edhe prania e mbrojtësit Beci i cili në fazën e dytë të sezonit që sapo u mbyll luajti si i huazuar tek Tërbuni. Trajneri Cungu në dispozicion ka patur edhe disa futbollistë të ardhur nga ekipi U-19 i Akademisë Vllaznia, të cilët do të vëzhgohen gjatë kësaj jave nga ana e tij dhe e stafit që drejton dhe nëse vëren elementë që ia vlejnë, mund të jenë në dispozicion të skuadrës për sezonin tjetër. Prania e të gjithë futbollistëve që janë ende nën kontratë deri në fund të këtij muaji me Vllazninë, në njëfarë mënyre tregon edhe dëshirën që këta lojtarë kanë për të rinovuar me këtë skuadër.

Gjithsesi, pavarësisht dëshirës së futbollistëve për të vijuar eksperiencën me kuqeblutë, nuk dihet nëse kanë të njëjtin vullnet edhe drejtuesit e klubit. Por ajo që të bën përshtypje është se takimi në mes drejtuesve të klubit, stafit teknik dhe atyre të Bashkisë, ende nuk është realizuar dhe kjo vonesë është në dëmin e skuadrës. Kuqeblutë do të vazhdojnë stërvitje deri në fillimin e javës së ardhshme dhe më pas do të nisin pushimet duke pritur telefonatën se kur do të rikthehen për të firmosur kontratat e reja dhe për të nisur punën për sezonin e ri.
 

Komentet