“E pranoj që kjo periudhë pushimi ishte shumë e vështirë për mua, pas atij dëmtimi që pësova në kokë. Por, besoj se e keqja ka kaluar dhe jam rikthyer shumë shpejt. Gjej rastin të falënderoj mjekët e ekipit që bën të mundur rikuperimin tim dhe u riktheva në ndeshjen e fundit në formacion, duke dhënë kontributin në fitoren e Vllaznisë.”

Edhe pse mban mënt pak nga ajo që ndodhi pas duelit me Nimanin, lojtari i Vllaznisë kërkon ti hedhë pas shpine ato momente ankthi. Ndërkohë, Gurishta është rikthyer edhe në përfaqësuesen Shpresa, për dy miqësoret me Republikën Çeke më 20 dhe 23 Maj në Austri.

“Të them të drejtën ishte shumë i vështirë. Por, ato momente duhen harruar sa më shpejt, sepse ishte një goditje psikologjike edhe për familjen time. Besoj se e keqja ka kaluar, tani ndihem shumë mirë dhe me stërvitje do të kthehem në 100 për qindshëshin tim.”

21-vjeçari analizoi edhe sezonin e Vllaznisë, ku ashtu si të gjithë në Shkodër pretendon që skuadra të kthehet në nivele të larta për të qenë sërish protagoniste në kampionat.

“Vllaznia nuk e meriton që të luftojë për mbijetesë. Objektivi kryesor ishte shpëtimi nga kategoria, e më pas u përcaktua si synim që ta mbyllnim sezonin në vendin e gjashtë. Vllaznia nuk e meriton që të notojë në këto ujëra. Shpresojmë që vitin tjetër, Vllaznia të mos rrezikojë mbijetesën. Duhet një projekt serioz që të shohim një Vllazni sa më lart.”

Komentet