E ka mbyllur me fitore kampionatin e këtij viti ekipi i Vllaznisë. Në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në "Reshit Rusi" ndaj Bylisit, kuqeblutë kanë fituar me rezultatin 1-0. Për të marrë këtë trepikësh ka menduar mesfushori Arlind Kalaja që ka shënuar golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 50-të. Në fakt ka qenë një ndeshje e luftuar nga fillimi e deri në fund. Ballshiotët ndonëse me pak shanse për mbijetesë, kërkonin të merrnin pikë por edhe shkodranët ishin të vendosur për të mos toleruar sepse "i lakmonte" vendi i gjashtë në renditje.

Pjesa e parë edhe me rastet e krijuara, nuk pati ndonjë gol. Në fillimin e pjesës së dytë, do të vinte goli i shumëpritur. Pas një krosi të Markut nga e majta, topi shkon në zonë, aty ku Vecaj vepron bukur me të dhe e pason tek Kalaja që në pozicion krejt të lirshëm godet saktë me kokë duke shënuar. Pas këtij momenti, do të ishte Bylis që në 2-3 momente do të merrte në dorë frenat e lojës dhe madje ishte shumë pranë barazimit me Hoxhajn. Por dalja me karton të kuq e Simiç, vendosi qetësinë në kampin shkodran dhe në fund ka një mini-festë. Vllaznia e mbyll me fitore dhe e gjashta në renditje. Maksimumi i asaj që mund të merrej natyrisht në këtë sezon me shumë probleme por sigurisht që shkodranët nuk kënaqen me kaq. Ata presin një skuadër krejt ndryshe sezonin tjetër.

Komentet