Ne shkojmë për të treguar atë seriozitet që kemi treguar çdo javë, deri tani, me përjashtim të asaj me Teutën. Nëse tregojmë të njëjtin seriozitet, sigurisht që mund të pretendojmë për të marrë ndonjë pikë, pavarësisht se kundërshtari nuk besoj se ka për ta marrë kaq lehtë ndeshjen, sepse nuk i lejohet asnjë gabim për të arritur objektivin që ka. Dy ditët e fundit kam mbetur jashtëzakonisht i kënaqur me ekipin. Lojtarët kanë vrapuar shumë, kanë qenë shumë seriozë në stërvitje dhe kjo më ka kënaqur. Mua si trajner më pëlqen të ketë seriozitet, të ketë ritëm të mirë dhe përkushtim maksimal. Nëse gjithë javën i bën detyrat e shtëpisë mirë, nuk ka pse provimi, kështu e quaj unë ndeshjen, të mos shkojë mirë.

Nëse nuk i bën gjithë javën detyrat mirë, sigurisht që edhe në provim, në fund të javës, nuk ke si paraqitesh mirë,“- ka thënë tekniku shkodran për gazetarët. Megjithatë, përgatitjet për takimin ndaj të kuqve nuk kanë qenë të lehta, sepse shqetësimi kryesor ka qenë mungesat e disa futbollistëve, për të cilat Cungu do të thoshte: “Shqetësimi kryesor i yni gjatë gjithë këtyre ditëve ka qenë ai i mungesave. Siç dihet, do mungojnë për arsye kartonësh Cicmil, Krymi e Bardulla, ndërkohë që kemi patur edhe disa lojtarë të dëmtuar. Vrapi ka një dëmtim të vjetër, por ma ka bërë të ditur se dëshiron të luajë dhe mendojmë që të jetë në fushë, ndërsa ende nuk di se çfarë të them për Sefën, i cili ka një dëmtim muskular.

Në këto kushte jemi munduar të ingranojmë në lojën e skuadrës lojtarët e tjerë, që nuk kanë patur shumë hapësira më parë, po ashtu edhe një lojtar të ardhur nga ekipi i të rinjve, që është Vecaj, i cili ka bërë dy paraqitje shumë të mira në ndeshjet që e kemi aktivizuar së fundi. Në kushte të tilla, pse jo të mos i japim një shans të tretë dhe ndoshta që nga minuta e parë”. Pa disa prej titullarëve dhe me optimizëm për pike, megjithatë Cungu nuk ka dëshirë “të fluturojë”, por qëndron me këmbë në tokë dhe në fund, i pyetur nëse vërtetë beson se mund t’i marrë pikë Partizanit, ai shprehet: “Nuk dua të bëj hipokritin e të flas fjalë të mëdhaja, të them se do të mundim Partizanin.

Nuk kam thënë gjëra të tilla edhe kur kemi qenë 8 pikë para rivalëve tanë, por kam thënë se nuk ka mbaruar asgjë. Për takimin e nesërm, dua të jem shumë i sinqertë me ju dhe me opinionin shkodran, prandaj po e përsëris, nuk do të jetë e lehtë për t’i marrë pikë kësaj skuadre. Janë problemet e mungesave tona, është motivimi i kundërshtarit, por edhe shumë faktorë të tjerë, që e favorizojnë atë. Për mua është e rëndësishme të shoh djemtë e mi të padorëzuar për asnjë moment, të jenë seriozë, të luajnë futboll. Nëse ndodhin të gjitha këto, nuk do ishte çudi nëse do t’i merrnim pikë edhe Partizanit”

 

Komentet