Laku sa vjen dhe ngushtohet. Presioni mbi lojtarët e ka bërë të vetën. Një emër i madh, si Vllaznia, nuk po i largohet dot fundit të klasifikimit. Tri ndeshje në fushën e vet, vetëm dy pikë të marra. Barazoi me Partizanin dhe Laçin, si dhe u mund me Kukësin. Në këtë mënyrë, si mund të pretendohet te mbijetesa? Me fat janë shkodranët që nuk ka fituar dot as Bylisi në Durrës, në të kundërt do ta evidentonin veten përkrah Tërbunit, si favoritët kryesorë për të zbritur një kategori më poshtë
Trajneri Armando Cungu tha një ditë më parë se Vllaznia është e vetme në luftën e saj, ndërsa kanë nisur skenarët. Se çfarë kishte parasysh me këtë, mund të kuptohet në futbollin shqiptar, por së pari duhet bërë detyra jote, duke marrë maksimumin në shtëpi, në mënyrë që të shpresohet edhe te diçka në transfertë dhe pastaj evitimi i “katastrofës” kuqeblu në fund të kampionatit. Pas humbjes me kuksianët, trajneri shkodran nuk ka pasur ankesa për gjykimin, si herët e tjera:
“Ishte Vllazni e mirë gjithë lojën, por sidomos në fillim të ndeshjes. Po bënim presion dhe nuk po e lejonim Kukësin të organizohej. Mirëpo, fatkeqësisht, vazhdojmë të dhurojmë gola sistematikisht. Nuk po na i shënojnë kundërshtarët, por po ua dhurojmë vetë. Kemi një çekuilibrim në tri ndeshjet e fundit. Kukësi dy episode krijoi dhe na shënoi, sepse nuk jemi të kujdesshëm dhe të përqendruar. Në këto kushte, nuk e di se çfarë të them më shumë. Duhet të rrimë me këmbët në tokë, sepse nuk po arrijmë dot të largohemi nga zona e rrezikut. Në stërvitje kemi qenë seriozë dhe nuk kemi pasur ndonjë eufori, sepse kushtet nuk na e lejojnë diçka të tillë.
Duke ditur forcat dhe potencialin e grupit që kam në dispozicion, më e mira është që të mbrohemi fort dhe përmes kundërsulmit të gjejmë golin. Sidoqoftë, na mungon një goleador i mirëfilltë, që të finalizojë rastet e krijuara. Na duhen pikë, që vijnë përmes fitoresh, ndaj jemi të dënuar të luajmë në sulm. Siç po shkojnë gjërat, nuk ka dyshim, Vllaznia do të luftojnë për mbijetesë deri në fund, së bashku me Tërbunin dhe Bylisin. Kam garantuar se do të bëj maksimumin në krye të Vllaznisë, por me ardhjen time këtu nuk është mbyllur çdo problem.”
Cungu e pranon: Rrezikojmë mbijetesën, po aq sa Tërbuni dhe Bylis
Siç po shkojnë gjërat, nuk ka dyshim, Vllaznia do të luftojnë për mbijetesë deri në fund, së bashku me Tërbunin dhe Bylisin. Kam garantuar se do të bëj maksimumin në krye të Vllaznisë, por me ardhjen time këtu nuk është mbyllur çdo problem.
Komentet