Lojtari që ka luajtur më shumë ndeshje në historinë e Vllaznisë, me fanellën e saj, Amarildo Belisha, vazhdon ta ndjekë rregullisht këtë skuadër edhe tani që e ka lënë futbollin. Madje jo vetëm në ndeshje, por shpeshherë edhe në stërvitje. E bën me rregullsi këtë gjë, sepse nuk mund të ndahet prej kësaj skuadre, për të cilën ka dhënë shumë, por edhe ka marrë prej saj. Duke folur për “telesport.al” në lidhje me nisjen që kuqeblutë i kanë bërë këtij viti, ai vlerëson si shumë pozitiv faktin që trajneri i ri Cungu e ka futur në shinat e duhura atë.

“Vllaznia, nën drejtimin e Cungut, është më e disiplinuar taktikisht. Unë e njoh nga afër Armandon dhe e di mirë pasionin e tij për këtë lojë, aftësitë dhe mënyrën e punës së tij. Ndoshta idetë e tij ende nuk janë futur 100 për qind te futbollistët, por kjo do të ndodhë shpejt. Në të tria ndeshjet e para, skuadra ka funksionuar mirë, me përjashtim të 15 minutave të para të transfertës me Teutën, kur askush nuk e kuptoi se çfarë ndodhi. Unë besoj te ky ekip, se nga ndeshja në ndeshje ka për ta rritur lojën e vet dhe ka për të na dhuruar rezultate pozitive,” – ka thënë lojtari që për vite me radhë ka luajtur me fanellën me numrin 8.

Ish-mesfushori Belisha, që vetëm në kampionat ka luajtur mbi 300 ndeshje me kuqeblutë, flet edhe për takimin e radhës me Partizanin, të cilin e konsideron si shumë të vështirë. “Duhet patur shumë kujdes Partizani. Ai nuk do të vijë kurrsesi në Shkodër për të humbur, sepse do ta komplikonte shumë ecurinë e mëtejshme. Në kushte të tilla, ai do të mundohet me të gjitha llojet e mënyrat për të fituar.


Për këtë arsye, Vllaznia duhet të bëjë shumë kujdes. Ndoshta edhe me barazimin duhet të jetë e kënaqur. Duke njohur edhe karakterin dhe grintën që e shoqëron Cungun, nuk besoj kurrsesi se ai do t’i orientojë futbollistët për të luajtur për barazim, por gjithsesi them se skuadra duhet të jetë e kënaqur edhe me këtë rezultat,” – ka thënë në fund të prononcimit të tij, Amarildo Belisha.

telesport.al © 


 

Komentet