Koha e keqe, që ka mbizotëruar sot në Shkodër, ka detyruar ekipin e Vllaznisë të mbyllet në një kalçeto, për të zhvilluar seancën e radhës. Ekipi ishte njoftuar në fakt për të qenë i pranishëm në “Reshit Rusi”, por shiu dhe era e fortë e kanë bërë të pamundur stërvitjen aty. Madje, shpejtësia e madhe e erës ka krijuar sërish jo pak probleme në këtë impiant sportiv, duke dëmtuar rrjetën mbrojtëse dhe pjesë të tjera të saj. Prej këtyre dëmtimeve, natyrisht që klubit i duhet të ndërhyjë sërish për t’i riparuar, sepse në këto kushte nuk mund të luhet ditën e shtunë. Sakaq, skuadra ka vijuar me përgatitjet e saj, ndonëse sot në kushte jokomode.



Megjithatë, trajneri Cungu ka dashur t’i mbajë në tonus futbollistët e tij. Atmosfera në këtë pragndeshje duket e mirë dhe për momentin kontigjenti i lojtarëve duket i plotë. Sefa e Krymi rikthehen nga skualifikimi dhe do të jenë në fushë të shtunën, ndërkohë që edhe gjendja e Arbrit duket më e mirë dhe natyrisht pritet të jetë në fushë. Nga ana tjetër, lajmi që mësohet është se në radhët e Partizanit këtë javë nuk do të jetë sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj, i cili do të mungojë për arsye kartonash.

Ky, natyrisht, është një plus për kuqeblutë, por nuk mjafton për asgjë, sepse skuadra kryeqytetase ka në radhët e saj lojtarë të tjerë cilësorë, që do të hedhë në fushë, me qëllim marrjen e fitores për të ruajtur hapin e Skënderbeut kryesues. E rëndësishme është që Vllaznia gëzon një formë të mirë sportive dhe ka besim në marrjen e një tjetër rezultati pozitiv të shtunën, në orën 13:00 ndaj Partizanit, në “Reshit Rusi”, duke patur natyrisht edhe mbështetjen e tifozëve të vet.

telesport.al ©

Komentet