Besim dhe entuziazëm në kampin shkodran në prag të ndeshjes me Teutën. Vllaznia do të udhëtojë drejt Durrësit me një objektiv të qartë: synimin e fitores. Të paktën kështu ka deklaruar në konferencën e sotme për shtyp trajneri i ekipit shkodran, Armando Cungu. "Në punën time gjithmonë kam kërkuar maksimumin në çdo ndeshje dhe këtë gjë do kërkojë edhe në Durrës. Vllaznia udhëton me një objektiv të qartë për të kërkuar fitoren ndaj Teutës. Kuptohet që nuk do të jetë aspak e lehtë pasi skuadra vendase me meritë është në pozicionin e saj aktual në renditje. Megjithatë, për mua e rëndësishme është që ekipi im të tregojë të njëjtën grintë e karakter që shfaqi edhe ndaj Skënderbeut", deklaroi Cungu.
"Kuptohet që është ndeshja e parë jashtë Shkodrës dhe do të hetë me interes të shoh sesi do të reagojnë futbollistët, gjithsesi e shoh një takim të hapur", përfundoi trajneri Armando Cungu. Tekniku i kuqebluve ndërkohë ka lënë të kuptojë se ende nuk është vendosur nëse Arbri do të luajë apo jo, për shkak të dëmtimit që ka. Po ashtu, ende nuk e ka vendosur se kush do të luajë në vend të Krymit në mesfushë. Pavarësisht këtyre problemeve, te Vllaznia atmosfera duket e mirë. Cungu po ashtu edhe njëherë tjetër është ndalur te problemi i ndërhyrjeve apo i reklamave të tepërta për futbollistë të veçantë duke thënë se njeriu që vendos për çdo gjë në aspektin teknik tek Vllaznia është vetëm ai.
telesport.al ©