Atmosfera në kampin shkodran, pas fitores me Skënderbeun, të shtunën e kaluar, duket shumë e kënaqshme. Si rrjedhojë, përgatitjet për takimin e radhës me Teutën kanë shkuar ashtu si duhet. Me përjashtim të faktit që do të ketë dy mungesa të rëndësishme në formacion, për të tjerat nuk ka asnjë shqetësim për stafin teknik dhe drejtuesit e klubit. Skuadra duket shumë e motivuar për të arritur një tjetër rezultat pozitiv edhe në Durrës, të dielën.
Sa i takon ndeshjes, ka një ndryshim të orarit të saj, teksa ajo nuk do të nisë në orën 17:00, siç u tha fillimisht, por 60 minuta më herët, pra në orën 16:00. Megjithatë, ky ndryshim orari nuk përbën asnjë problem. E rëndësishme është që skuadra të paraqitet ashtu si duhet në fushën e lojës. Një lajm tjetër, që mësohet, është se skuadrën shkodrane në transfertën e Durrësit pritet ta mbështesë edhe një numër i konsiderueshëm tifozësh kuqeblu, të cilët po i qëndrojnë pranë asaj dhe kuptohet që do të ndihmojnë për marrjen e një tjetër rezultati pozitiv.
Skuadra, ndërkohë, është mbajtur larg medias ditët e fundit nga ana e trajnerit Cungu, pikërisht për ta larguar nga euforia e mundshme, sepse ajo duhet të qëndrojë me këmbë në tokë. Natyrisht që kjo gjë është shumë e nevojshme, pavarësisht se edhe opionioni sportiv ka dëshirë të informohet për atë se çfarë ndodh te skuadra e tij e zemrës. E rëndësishme, mbi të gjitha, është që Vllaznia edhe në Durrës të tregojë vlerat e saj dhe të marrë një rezultat pozitiv.
telesport.al ©