Pavarësisht ardhjes së Tafilit, Vllaznia, edhe nesër, ndaj Skënderbeut, do të luajë me të njëjtin formacion si në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Kjo do të thotë se nesër, në duelin e radhës, tashmë të vlefshëm për kampionat, kuqeblutë do ta nisin me atë 11-she, që luajtën edhe të dielën që shkoi. Pra, në portë do të jetë sërish Dragojeviç. Në mbrojtje, nga e djathta do të luajë Arbri, në qendër dyshja Cicmil-Vrapi dhe në të majtë do të jetë përsëri Antonio Marku.
Ky i fundit, siç dihet, në ndeshjen e kaluar u dëmtua në kokë pas një përplasjeje me Ademir dhe pësoi një çarje. Megjithatë, 23-vjeçari duket se do të jetë në fushë, ndonëse me disa qepje në kokë. Edhe në mesfushë nuk do ketë asnjë ndryshim, pavarësisht se ka ardhur Tafili, që do ta nisë nga pankina. Trajneri Cungu do të vazhdojë t’i besojë treshes së qendrës, të përbërë nga Krymi, Bardulla e Sefa, ndërsa në krahë do të luajnë Shtubina dhe Çinari, duke lënë të vetëm në majë të sulmit Kalajën.
Kjo do të jetë 11-shja me të cilën shkodranët do të tentojnë të marrin një rezultat pozitiv ndaj kampionëve në fuqi të vendit dhe kryesuesve aktualë të renditjes. Këta të fundit, në ndryshim nga Vllaznia, pritet të kenë disa ndryshime në formacion. Skënderbeu do të jetë më i kompletuar në krahasim me ndeshjen e kaluar. Sfida mendohet të jetë e fortë dhe tifozët shkodranë sigurisht që do t’i mbështesin fort kuqeblutë për marrjen e një tjetër rezultati pozitiv.
telesport.al ©
Cungu s'ndryshon mendje, me të njëjtin formacion ndaj Skënderbeut
Sfida mendohet të jetë e fortë dhe tifozët shkodranë sigurisht që do t'i mbështesin fort kuqeblutë për marrjen e një tjetër rezultati pozitiv. Kjo do të jetë 11-shja me të cilën shkodranët do të tentojnë të marrin një rezultat pozitiv ndaj kampionëve në fuqi të vendit dhe kryesuesve aktualë të renditjes