Plot shtatë futbollistë të rinj kanë qenë të pranishëm në stërvitjen e sotme të ekipit të Vllaznisë, që më saktë ka konsistuar në një ndeshje kontrolli kundër ekipit të Adës. Bëhet fjalë për tre futbollistë ukrainas, konkretisht sulmuesi 31-vjeçar Vladimir Ordinski, sulmuesi tjetër, Bogdan Samatuga, dhe mesfushori Antonio Grigorijevoc; për kosovarin Mërgim Neziri, shqiptaro-malazezin Ronaldo Rudoviç, vlonjatin Dejvi Bregu dhe shkodranin Franko Jakova. Paraqitja e tyre nuk ka lënë ndonjë shije të mirë te trajneri Armando Cungu, që pas kësaj ndeshjeje është shprehur: 



“Jam shumë i pakënaqur nga forma e treguar prej lojtarëve që ishin në provë. Kjo është në vazhdën e testimeve që bëmë edhe në Ulqin. Janë lojtarë që nuk vlejnë absolutisht. Ata jo vetëm që nuk bëjnë asnjë diferencë, por janë shumë më poshtë sesa lojtarët aktualë, që kemi në skuadër, prandaj nuk kemi pse të diskutojmë më tej me to. Ndoshta do të duhet pak më vëmendje për mbrojtësin shqiptaro- malazez, i cili ka qenë pjesë e Deçiçit të Tuzit dhe sot nuk ishte në formën e tij më të mire, sepse po kalonte një gjendje gripale.



Nëse do të biem dakord me të, që të qëndrojë edhe këtë javë në stërvitje, për të parë realisht nivelin e tij, mund ta kemi në konsideratë, ndërsa të tjerët jo. Besoj se nuk kemi çfarë të presim më nga merkatoja. U lodhëm shumë me telefonata, nga mëngjesi deri në darkë. Në orën 12:30 të natës merremi me menaxherë, me gjithfarë njerëzish, ndërsa realitetin besoj se edhe ju e shikoni vetë, se çfarë lojtarësh vijnë për t’u provuar. Shpresat janë të pakta për të ardhur ndonjë lojtar tjetër, megjithatë ne do të presim edhe këto katër-pesë ditë që kanë mbetur”. 



Numri 1 i pankinës shkodrane është pyetur edhe në lidhje me çështjen “Tafili”. Për të ka thënë: “Sa i takon afrimit të mundshëm të Tafilit, nuk mund të them asgjë me saktësi. Jemi në kontakte të vazhdueshme me drejtuesit e Partizanit, që për fat të keq na kanë devijuar shpeshherë nga bisedat, duke ndryshuar edhe kushtet e marrëveshjes. Tashmë shpresojmë që njëherë të vetme ta mbajnë fjalën dhe ta mbyllim marrëveshjen që kemi nisur”.



Sa i takon mesfushorit 20-vjeçar vlonjat, Dejvi Bregu, ai ka luajtur në miqësoren e djeshme, por në fund të saj, pas bisedës edhe me drejtuesit e klubit shkodran, nuk ka rënë dakord për anën kontraktuale të kontratës dhe është larguar për andej nga kishte ardhur.

telesport.al ©