Merkatoja e Vllaznisë ende nuk është mbyllur. Përveç Vrapit, në ditët në vijim, deri më 31 janar, kur do të mbyllet merkatoja, me kuqeblutë mendohet të firmosin edhe 3-4 futbollistë të tjerë. I sigurtë duket rikthimi i mesfushorit shkodran Alsid Tafili. Ai është duke mbyllur kontratën me Partizanin dhe që nga dita e nesërme mund t’i bashkohet ekipit shkodran në stërvitje. Në fakt, bisedimet mes drejtuesve të të dyja klubeve vazhdojnë, sa i takon mundësisë së shkëmbimit të lojtarëve, në këmbim të kartonit të Hakajt, dhe në ditët në vazhdim mendohet të arrihet një marrëveshje përfundimtare.
Por, përveç tyre, pritet edhe ndonjë lojtar tjetër, kryesisht i repartit sulmues. I pari ka mbërritur tashmë. Është sulmuesi kosovar, i ardhur nga Gjermania, Mërgim Neziri. Ai do të qëndrojë disa ditë te Vllaznia për t’u testuar dhe në fund do të jetë stafi teknik që do të vendosë për të. Përveç Nezirit, edhe një sulmues tjetër do të vijë në provë. Bëhet fjalë për një ganez, i cili do të jetë në provë. E ndërsa lojtarë të tjerë vijnë në provë, ka patur edhe largime. Kështu, mesfushori kosovar, Prekopuca, që u stërvit për disa ditë me ekipin, nuk e ka kaluar provën dhe është larguar.
E sigurtë është që deri në fund të janarit do të ketë të tjera përforcime dhe Vllaznia pritet të jetë më e fortë deri në gjysmën e dytë të sezonit. Nisja që skuadra e drejtuar nga Armando Cungu i ka bërë këtij viti ka qenë e mbarë, shoqëruar me barazimin 0-0 në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë me Skënderbeun. Kuptohet që me ardhjen edhe të këtyre lojtarëve të tjerë, kuqeblutë do të jenë edhe më të fortë.
telesport.al ©
Komentet