Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, është parë tejet i nervozuar përpara fillimit të seancës së sotme stërvitore. Ai ka vërejtur që në fushën “Reshit Rusi” kanë qenë të pranishëm, për të nisur stërvitjen, edhe disa futbollistë të ekipit “B” të Vllaznisë, apo edhe ndonjë tjetër. Kjo e ka shqetësuar jo pak atë. Për këtë arsye, ka mbledhur fillimisht në dhomën e zhveshjes vetëm futbollistët që ka patur me vete, në stërvitjen e Ulqinit, dhe pas pak minutash ka zbritur në fushë, por para se të niste stërvitjen, u ka folur disa fjalë futbollistëve.



“Shoh që ka të pranishëm këtu disa futbollistë që nuk janë aktualisht në planet e mia. E kam të qartë që mund të jenë pjestarë të ekipit “B”, apo ndonjë tjetër, por besoj se nuk është momenti për të testuar lojtarë tani. Ne nuk mund të merremi me këtë problem tani, sepse kemi çështje më të rëndësishme për të zgjidhur. Shumëkush fut edhe miq, por dua t’ua bëj të qartë njëherë e mirë se nuk mund të zënë vend kështu te Vllaznia. Gradualisht, secilit do t’i jepet mundësia që të provohet, ndoshta dy nga dy. Mund t’i kemi edhe në stërvitje për të dhënë një mendim për gjithsecilin, edhe për futbollistët e ekipit të të rinjve



Ne këtu do të jemi, askujt nuk do t’i mbesë peng që nuk u provua, por po jua them edhe njëherë: mos u mundoni kot të futni miq, sepse nuk shkoni askund kështu. Në fund të stërvitjes, unë do t’u jap drejtuesve të klubit listën me lojtarët që dua të kem në dispozicion, të tjerët të vazhdojnë të stërviten aty ku janë stërvitur më parë,” – u ka thënë trajneri i ri i Vllaznisë futbollistëve të pranishëm. Burime pranë trajnerit bëjnë të ditur se ditët e fundit Cungu ka patur jo pak ndërhyrje nga prindër futbollistësh të ndryshëm, apo të afërm të tyre, për t’i marrë te Vllaznia, por kuptohet që kjo nuk do të ndodhë.

telesport.al ©